Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Projekti i ri i ndërtimit në prag të Euro 2025 U-17: një tjetër fushë merr formë pranë Shtëpisë së Futbollit

15/01/2025

Projekti i ri i ndërtimit në prag të Euro 2025 U-17: një tjetër fushë merr formë pranë Shtëpisë së Futbollit

Federata e Futbollit, si pjesë e investimeve strategjike për përmirësimin e infrastrukturës sportive në vend dhe në kuadër të projektit “100 fushat”, ka nisur ndërtimin e një fushe të re brenda ambienteve të “Shtëpisë së Futbollit”.

Fusha e re me bar natyral do të jetë një aset i rëndësishëm jo vetëm për Kampionatin Europian U-17 “Shqipëri 2025”, por edhe për stërvitjet e ekipeve Kombëtare dhe organizimin e turneve të ndryshme nga FSHF.

Punimet për ndërtimin e kësaj fushe, e cila është e treta në këto ambiente, po ecin me ritëm intensiv dhe pritet të përfundojnë në një kohë të shpejtë.

Dy fushat me bar natyral në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” do të shërbejnë si hapësira stërvitore për ekipet finaliste të Kampionatit Europian U-17, një event historik që do të organizohet nga FSHF në bashkëpunim me UEFA-n nga data 19 maj deri më 1 qershor 2025.

Federata Shqiptare e Futbollit është e angazhuar maksimalisht për të përmbushur standardet e kërkuara nga UEFA, duke synuar një organizim të përsosur të këtij kampionati prestigjioz.

Ky event madhor do ta vendosë Shqipërinë në fokusin e vëmendjes ndërkombëtare për disa ditë, duke ofruar një mundësi të jashtëzakonshme për promovimin e vendit dhe zhvillimin e futbollit vendas.