Gonxhja prezanton Projektiligjin “Për Buxhetin e Vitit 2025” lidhur me kulturën
di Redazione
07/11/2024
Në kuadër të diskutimeve për projektligjin “Për Buxhetin e Vitit 2025”, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik mbajti një seancë të rëndësishme për të shqyrtuar në parim buxhetin e Ministrisë së Edukimit, Kulturës dhe Informacionit (MEKI) për sektorin e kulturës. Ky projektbuxhet për vitin e ardhshëm parashikon rritje dhe përmirësime në financimin e aktiviteteve kulturore, projekteve artistike dhe mbështetjen e institucioneve të trashëgimisë kulturore në vend.
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e një buxheti të qëndrueshëm dhe të strukturuar mirë që do t’i shërbejë përmbushjes së objektivave për të fuqizuar kulturën kombëtare.
Ministria e Edukimit, Kulturës dhe Informacionit ka parashikuar një financim prej 571 milionë lekësh për të përkrahur zhvillimin dhe promovimin e kulturës në Shqipëri. Ky buxhet, i prezantuar gjatë seancës së Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, synon të përfshijë një gamë të gjerë aktivitetesh dhe projekteve në fusha të ndryshme të kulturës dhe artit.
Me këtë financim të konsiderueshëm, programet e reja do të mbështesin aktivitete kulturore, thirrjet për projekte artistike dhe kalendarin artistik kombëtar. Pjesë e këtij buxheti janë edhe fondet për mbështetjen e artistëve dhe organizatave, për të nxitur krijimtarinë përmes art-rezidencave dhe për të rritur përfaqësimin kombëtar në skenën ndërkombëtare. Ndër prioritetet kryesore për vitin 2025 janë ndërkombëtarizimi dhe zgjerimi i rrjetit të ekonomisë kreative dhe industrisë kulturore, duke promovuar mobilitetin kulturor dhe turizmin kulturor si elemente kyçe për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Buxheti i Kulturës për vitin 2025 parashikon një rritje të ndjeshme, duke u shtuar me 55% krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2024. Ky buxhet përfshin 471.9 milionë lekë të dedikuara për Programin Kombëtar të Granteve për Kulturën dhe Krijimtarinë, me një rritje prej 45% nga viti i kaluar. Financimi synon të përforcojë mbështetjen për projektet kulturore dhe artistike, promovimin e krijimtarisë dhe zgjerimin e ndikimit të kulturës shqiptare në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare.
Buxheti i Kulturës për vitin 2025 përfshin një fond prej 1.78 miliardë lekësh për investime, që përbën rreth 40% të buxhetit total të Ministrisë së Edukimit, Kulturës dhe Informacionit (MEKI). Ky financim mbështet një program tre-vjeçar për rijetëzimin e qendrave dhe objekteve të artit dhe kulturës, përfshirë investime në sisteme digjitale, pajisje të teknologjisë së re për rezidenca dhe shërbime, si dhe konservim, rehabilitim, restaurim e rindërtim. Programi gjithashtu synon përmirësimin e gjendjes fizike të objekteve të trashëgimisë kulturore, zhvillimin e infrastrukturës së aksesit, projektimin dhe zbatimin e planeve të menaxhimit, dhe vazhdimin e projekteve kapitale për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.