Projektligji "Për organizimin dhe funksionimin e Forcës Rezerviste në Republikën e Shqipërisë" u miratua nga Ministira Mbrojtjes
di Redazione
30/10/2024
Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin "Për organizimin dhe funksionimin e Forcës Rezerviste në Republikën e Shqipërisë", që synon rregullimin e shërbimit rezervist, duke përfshirë detyrat dhe përgjegjësitë e shtetasve, organeve shtetërore dhe subjekteve private për mobilizimin.
Projektligji, i përfshirë si pjesë e Forcave të Armatosura, do të mundësojë sigurimin e individëve të trajnuar për të përforcuar strukturat e FA-së, të ruajë nivelin e gatishmërisë dhe të rrisë kapacitetet e mbrojtjes në kontekstin aktual të sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare. Ai gjithashtu mbështet përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në kuadër të NATO-s dhe pjesëmarrjen në operacionet për reagimin ndaj krizave, mbështetjen e paqes dhe emergjencave civile.
Projektligji përmban 34 nene që rregullojnë aspektet e organizimit të shërbimit në rezervë, duke përfshirë kriteret e pranimit, kohëzgjatjen e shërbimit dhe përgjegjësitë e autoriteteve përkatëse. Forca rezerviste do të përbëjë 25% të forcave aktive, ose rreth 2100 personel, duke siguruar një kapacitet të rëndësishëm për reagim të shpejtë në raste emergjente.
Sipas projektligjit, ushtarakët që janë aktualisht në rezervë dhe shtetasit civilë që plotësojnë kriteret për pranim, do të rekrutohen përmes konkurrimit dhe do të nënshkruajnë kontrata të shërbimit ushtarak në rezervë me afat prej të paktën 2 vitesh, me mundësi rinovimi.
Me përfshirjen në strukturat rezerviste të Forcave të Armatosura, ushtarakët rezervistë gëzojnë të gjitha të drejtat e ushtarakëve aktivë, duke mbajtur gradën e mëparshme. Ndërkaq, shtetasit shqiptarë që nuk kanë shërbyer më parë në shërbimin aktiv, por që përmbushin kriteret për pranim në shërbimin ushtarak rezervist, marrin gradën e parë ushtarake.
Articolo Precedente
Hasani : Negociatat e BE priten të përfundojnë në vitin 2027