Publikohen rezultatet e TIMSS 2023: Shqipëria përparon në matematikë dhe shkencë
di Redazione
05/12/2024
Në publikimin e rezultateve të TIMSS 2023, Shqipëria arrin për herë të parë mbi mesataren ndërkombëtare në Matematikë. Ky raport e përfshin vendin tonë në 14 shtetet me përmirësime të ndjeshme në Matematikë dhe në 15 shtetet me progres në Shkencë.
Shqipëria ka shënuar një përparim të konsiderueshëm në TIMSS 2023, duke treguar rezultate më të larta në Matematikë dhe Shkencë dhe duke u pozicionuar për herë të parë mbi mesataren ndërkombëtare në Matematikë. Vlerësimi, që përfshiu 200 shkolla dhe 5143 nxënës të klasës së katërt, u realizua për herë të parë në formatin digjital (CBA).
Shqipëria ka shënuar për herë të parë një rezultat prej 512 pikësh në Matematikë, duke tejkaluar mesataren ndërkombëtare prej 503 pikësh me 9 pikë.
Nxënësit shqiptarë e renditën vendin tonë në pozicionin e 33-të nga 58 shtete dhe 5 ekonomi pjesëmarrëse, duke lënë pas vende si Kanadaja, Spanja, Belgjika, Franca, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnja-Hercegovina, etj.
Rreth 8% e nxënësve shqiptarë arritën nivelin e avancuar të aftësive në Matematikë, duke tejkaluar mesataren ndërkombëtare prej 7%.
Nga 49 shtete me rezultate të krahasueshme me ato të TIMSS 2019, 14 prej tyre kanë shënuar rritje në TIMSS 2023, 22 nuk kanë ndryshime në rezultate, ndërsa 13 kanë pësuar rënie.
Shqipëria bën pjesë në grupin e 14 shteteve me rezultate në rritje në Matematikë. Në prezantimin global, vendi ynë u vlerësua si një nga shtetet me progresin më të madh në këtë fushë, duke shënuar një rritje prej 18 pikësh.
Në Shkencë, Shqipëria regjistroi 491 pikë, një rritje prej 2 pikësh nga 489 pikët e vitit 2019, dhe është vetëm 3 pikë nën mesataren ndërkombëtare prej 494 pikësh. Gjithashtu, Shqipëria renditet e para ndër vendet që ndjekin mesataren ndërkombëtare të Shkencës.
Kosova, Bosnja-Hercegovina dhe vende të tjera mbeten pas Shqipërisë në renditjen e TIMSS 2023.
Nga 49 shtete me rezultate të krahasueshme me TIMSS 2019, 15 prej tyre kanë shënuar rritje në TIMSS 2023, 21 kanë ruajtur të njëjtat rezultate, ndërsa 13 kanë pësuar rënie. Shqipëria bën pjesë në 15 shtetet me rritje të rezultateve në Shkencë.
TIMSS, një vlerësim ndërkombëtar i organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare për Vlerësimin e Arritjeve Arsimore (IEA), zhvillohet çdo katër vite dhe përfaqëson një mjet thelbësor për matjen e cilësisë së arsimit në Matematikë dhe Shkencë.
Shqipëria iu bashkua TIMSS për herë të parë në vitin 2019 dhe, në këtë edicion, ka treguar përmirësime të dukshme në performancën e nxënësve.
Rezultatet e fundit konfirmojnë progresin e qëndrueshëm dhe angazhimin për ngritjen e cilësisë së arsimit, duke i dhënë nxënësve shqiptarë mundësi për të arritur standarde më të larta ndërkombëtare.
Articolo Precedente
Zana Çela takim me Ambasadoren e Hungarisë , turizmi shqiptar për hungarezët