Qeveria po realizon investime të reja për ngritjen e infrastrukturës arsimore në Tiranë
di Redazione
28/04/2025
Kryeqytetit do t’i shtohen struktura të reja arsimore, të ndërtuara si komplekse moderne me kushte të përshtatshme për nxënës, mësues dhe edukatorë.
Në Njësinë Administrative nr. 14 të Tiranës, po ndërtohet një shkollë e re që do të funksionojë në bashkëpunim me një kopsht dhe një çerdhe, me kapacitet për 900 nxënës dhe 250 fëmijë të ciklit parashkollor. Ky investim i qeverisë vjen si përgjigje ndaj nevojave të komunitetit të Astirit.
Kryeministri Edi Rama vizitoi sot kantierin ku po ndërtohet ky kompleks, së bashku me Ministren e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu dhe Kryetaren e deleguar të Bashkisë, Anuela Ristani.
“Mirëserdhët në Astir zoti kryeministër. Kjo e sotmja është arritje historike për lagjen sepse që përpara 10 vitesh shqetësimi kryesor ka qenë që ish komunat nuk kishin kurrë të planifikuara objekte arsimore. Më në fund, ne kemi mundësi që të hapim themelet për shkollën e parë të lagjes të lagjes 14 të zonës së Astir për të gjithë banorët. Nuk ka pasur asnjë objekt në këtë zonë, e gjithë kjo lagje është lagje e re, siç ju e dini, ka qenë pjesë e planifikimit të komunës dhe komuna ka bërë planifikim ndërtesash dhe rrugësh, por të asnjë lloj objekti të shërbimeve publike, as qendra shëndetësore, as kopshte, as çerdhe." , tha Anuela Ristani.
“Kur kemi qenë me Ogertën përpara disa ditësh këtu, kjo ishte kërkesa, por aty ju thashë që do ta fillojmë së shpejti, ndërkohë që i siguroj që do shohim edhe për pika të tjera, jo vetëm këtu, por kudo në Tiranë ku për shkak të prurjeve të reja dhe ndërtimeve të reja ka nevojë për kopshte dhe çerdhe dhe duhet të ecim me atë që kemi folur, me një plan të ri për vendosjen e objekteve arsimore për Tiranën që të shoqërohet me shpronësime ose me partneritete ku marrin lejen e ndërtimit që të lëshojnë territor për shkollën ndërkohë që për çerdhet duhet ta vazhdojmë atë që keni përdorur ju për të marrë hapësira të brendshme në godina për çerdhe dhe besoj se për çerdhet mund të bëjmë një gjë shumë të bukur me atë variant.” – u shpreh kryeministri Edi Rama.