Qeveria zhvillon takimin vjetor me Këshillin Koordinues të Diasporës
di Redazione
19/12/2024
Sot u mbajt mbledhja vjetore e Këshillit Koordinues të Diasporës, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama.
Në fjalën e tij përpara përfaqësuesve të diasporës, Rama theksoi se qeveria ndjehet krenare para shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, pasi tashmë ka përmbushur misionin për të garantuar të drejtën e votës për ta.
“Jemi sot me kokën lart përpara gjithë shqiptarëve jashtë atdheut edhe për një arsye që tanimë është një mision i përmbyllur për të paktën sa na takon ne, vota e diasporës. Një mision jo i lehtë, për hir të së vërtetës dhe një mision që është i lidhur me një vullnet që shkon përtej ndasive partiake dhe që kërkon një votë më të madhe në numër sesa ajo e një shumice qeverisëse, arsye për të cilën jemi vonuar për një kohë të gjatë, por më në fund unë besoj edhe si rezultat i punës së Këshillit Koordinues të Diasporës dhe mobilizimit të zërave në diasporë u realizua dhe sot jemi në prag të një procesi zgjedhor kur për herë të parë në historinë demokratike të Shqipërisë qytetarët shqiptarë jashtë vendit do duhet të ushtrojnë të drejtën e votës pa pasur detyrimin pa udhëtuar drejt Shqipërisë ,por thjesht duke përdorur postën nga aty ku banojnë."
"Është një sfidë më vete. Nuk e shoh kryetarin e KQZ, por me siguri do jetë i pranishëm më tutje për të dhënë dhe ai këndvështrimin e tij teknik mbi vështirësitë e këtij procesi dhe mbi nevojën e mobilizimit të të gjithëve për ta ushtruar atë të drejtë sepse ka një proces që herën e parë është kompleks për të realizuar regjistrimin si votues në diasporë dhe pastaj bëhet më i thjeshtë që në momentin që personat janë të regjistruar”, shprehu Rama