Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

QSUNT , 2 klasa të reja me teknologji të fundit për fëmijet pacient të QSUNT

09/04/2025

QSUNT , 2 klasa të reja me teknologji të fundit për fëmijet pacient të QSUNT

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot sërish Spitalin Pediatrik të Specialiteteve në QSUNT, i shoqëruar nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, për të inspektuar nga afër investimin më të ri.

Në shkurt të këtij viti, Spitali Pediatrik i Specialiteteve në QSUNT nisi ofrimin e shërbimeve për pacientët e rinj nga e gjithë Shqipëria, duke ofruar kushte moderne dhe të përputhshme me standardet europiane për trajtimin mjekësor. Ky spital, me kapacitet prej 140 shtretërish dhe 17 poltrone për terapinë ditore, pritet të realizojë rreth 35,000 konsulta në vit, më shumë se 24,500 ekzaminime të tjera specifike (si eko, CT, grafi, spirometri etj), dhe mbi 5,000 ekzaminime laboratorike përmes konsultave ambulatore pediatrike.

Për herë të parë, infrastruktura e spitalit përfshin edhe mjediset e shkollës, për të mbështetur fëmijët që kalojnë një periudhë të gjatë trajtimi në spital. Aktualisht janë hapur dy klasa mësimore, të pajisura me teknologjinë më të fundit dhe mjete didaktike, falë modelit të sjellë nga Fondacioni izraelit SASA Setton. Me një staf të specializuar mësuesish, klasat ofrojnë edukim për fëmijët e shtruar, me një klasë multidisiplinare dhe një tjetër për art, duke siguruar gjithashtu kurrikula mbështetëse për përmirësimin e mirëqenies emocionale të fëmijëve, sipas grupmoshës së tyre.

Kemi vendosur 4 mësues të sistemit arsimor dhe një mësues që është i përhershëm në pediatri, mësuesi i mësimit fillor. 4 mësues, të cilët do jenë pjesë e shkollës të ndërtuar tashmë në spitalin peditarik. Të dyja klasat që tashmë janë funksionale do të ofrojmë mësim, por dhe argëtim për fëmijët, të cilët trajtohen në këtë spital. Kapaciteti është i mjaftueshëm. Jemi përgatitur dhe për mësimin përmes teknologjisë dhe përmes librave, kurrikulës së shkollës, por edhe për mësimin e personalizuar, që falë trajnimit që fondacioni Sasa Setton është duke na ofruar nëpërmjet gjithë metodologjisë së re.”  – shpjegoi Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu.

“Kemi ndërtuar dy klasa, njëra është klasë shumë disiplinore, ka teknologji, ka kodim. Ideja është që të sjellim më të mirën, teknologjinë e fjalës së fundit në spitalin e fëmijëve po kështu që t’i motivojmë ata, se ndonjëherë duke qenë në spital kanë një lloj ndjenje turpi. Duam të bëhen më të fortë, të ndihen  krenar, të krijojmë një përvojë pozitive. Kemi tre printerë, kemi kodim, kemi syze virtuale që të ndihmojmë fëmijët të mësojnë matematikë, anglisht dhe për trupin e njeriut përmes teknologjisë.” – u shpreh përfaqësuesi i Fondacionit izraelit ndërsa theksoi se ekipi i mësuesve është shumë i përkushtuar në detyrën e tyre.

“Kemi një ekip të shkëlqyer mësuesish. Çdo mësues ka një tabletë që të mund të shkojë pranë shtratit dhe ta mësojë fëmijën aty. Kemi dhe materiale në gjuhën shqipe që t’i përdorë mësuesja dhe pjesë e gjërave që po bëjmë është që të vazhdojmë trajnimin me spitalin tonë në Izrael, që mësuesit e spitalit atje të trajnojnë mësuesit këtu. Kemi vendosur 4 mësues për dy klasat dhe po kështu do të nisim menjëherë me trajnimin e vazhduar që të ecim krahë për krah me partneritetin tonë më mënyrë që të thellojmë këtë projekt dhe po kështu për ta zbatuar atë dhe në spitale të tjera.” – u shpreh ai.