Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Rama në ambientet e RITECH për të përforcuar infrastrukturën teknologjike dhe për të rritur mundësitë e punësimit

15/04/2025

Rama në ambientet e RITECH për të përforcuar infrastrukturën teknologjike dhe për të rritur mundësitë e punësimit

RITECH, një nga emrat më të spikatur në fushën e teknologjisë, ka nisur veprimtarinë e saj në vitin 2016 dhe që atëherë ka ndërtuar një rrjet të fuqishëm operimi në rajon. Me rreth 500 të punësuar në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, kompania ka konsoliduar praninë e saj në treg. E njohur për eksportin e produkteve të saj në qytete të ndryshme në SHBA dhe Europë, RITECH vazhdon të zhvillojë zgjidhje të avancuara teknologjike për menaxhimin e parkimeve, të cilat tashmë përdoren nga gjigantë ndërkombëtarë si Maersk, Siemens dhe Virgin Voyages.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, zhvilloi një takim me drejtuesit e kompanisë RITECH, ku u mbajt një diskutim i hapur mbi rolin e teknologjisë në zhvillimin ekonomik dhe potencialin e saj për të krijuar mundësi të reja punësimi. Në fokus të bisedës ishte rëndësia e investimeve në inteligjencën artificiale dhe inovacionin teknologjik, veçanërisht për fuqizimin e të rinjve në tregun e punës.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se zhvillimi i sektorëve inovativë është një shtyllë e rëndësishme e politikave të qeverisë për mbështetjen e sipërmarrjes dhe modernizimin e ekonomisë. “Kompania RITECH ka treguar se është një model i suksesshëm i integrimit të teknologjisë dhe zhvillimit të produkteve që jo vetëm kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, por gjithashtu krijojnë mundësi për punësim dhe zhvillim profesional në rajon,” u shpreh ajo.

“Në kuadër të një bashkëpunimi të mundshëm, kemi diskutuar mundësinë e integrimit të aplikacioneve të parkimit me sistemet e kamerave dhe analizës së të dhënave në kohë reale, që do të mundësojnë menaxhim më efikas të hapësirave dhe parashikimin e problemeve të mundshme, si aksidentet apo shkeljet,” tha Rama.