Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Rama në Davos :12 milionë vizitorë të huaj në 2024, sfida vijon të jetë qëndrueshmëria në 2025

22/01/2025

Rama në Davos :12 milionë vizitorë të huaj në 2024, sfida vijon të jetë qëndrueshmëria në 2025

Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror që po zhvillohet në Davos, Zvicër, ku janë mbledhur rreth 3000 liderë nga më shumë se 130 vende, përfshirë 350 liderë qeveritarë, mes tyre 60 kryetarë shtetesh dhe qeverish, për të diskutuar sfidat kryesore globale dhe rajonale.

Edicioni i 55-të i Forumit Ekonomik Botëror po mbahet me temën “Bashkëpunimi për Epokën Inteligjente”, duke përqendruar bisedimet në pesë shtylla kryesore, të ndërlidhura dhe jetike për ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të begatë.

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në një sesion me temë “Mënyra se si do të udhëtojmë”, ku u zhvillua një diskutim i gjerë dhe shkëmbim përvojash ndërmjet vendeve për zhvillimin e turizmit. Sesioni u moderua nga Richard Quest i CNN International, SHBA, dhe përfshiu si panelistë Ministrin e Turizmit të Arabisë Saudite, Ahmed Al-Khateeb; Komisionerin Europian për Transport të Qëndrueshëm dhe Turizëm, Apostolos Tzitzikostas; Jane Sun, CEO e Trip.com Group nga Singapori, dhe Xavier Rossinyol, Drejtor i Përgjithshëm Global i Avolta AG.

"Ne në Shqipëri kemi aeroportin që po zhvillohet me ritmin më të shpejtë në Europë në dy-tre vitet e fundit. Kemi lënë mbrapa Beogradin, që ka pasur aeroportin më të madh në rajon."

“Ne kemi qenë Koreja e Veriut e Europës njëherë e një kohë. Në atë kohë, aeroporti ynë ishte praktikisht si një shkretëtirë. Të vije në Shqipëri në atë kohë, një nga kushtet ishte që të ishe marksist-leninist. Nuk po bëj shaka. Mesatarja vjetore para pak viteve ishte 5 mijë turistë. Vitin e kaluar e mbyllëm me përafërsisht 12 milionë turistë të huaj, në një vend me 2.5 milionë banorë. Aeroporti ynë shënoi 10 milionë pasagjerë që hynë dhe dolën nga territori shqiptar”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij mbi turizmin e qëndrueshëm, Rama nënvizoi se, krahas investimeve, është bërë një përpjekje e vazhdueshme për të mbajtur një ekuilibër midis zhvillimit dhe mbrojtjes së mjedisit natyror.

"Turizmi për ne është diçka e re, është një industri që po e ndërtojmë dhe nga e cila po shohim më së fundi zhvillim të jashtëzakonshëm në të gjitha aspektet, nga çelja e maleve tona për turistët që duan të ngjiten e po kështu deri tek propozimi i Jared Kushner dhe familjes për të ndërtuar dhe zhvilluar deri tek një nga kompanitë më të mëdha të Lindjes së Mesme që po zhvillon një Port turistik, e kështu me radhë. Kështu që nuk ka asnjë shans që ne ta minojmë turizmin. Turizmi është kali ynë i betejës."