Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Rama në mandatin e 4 : 90% e prokurimeve publike do të realizohen nga inteligjenca artificiale

10/12/2024

Rama në mandatin e 4 : 90% e prokurimeve publike do të realizohen nga inteligjenca artificiale

Kyreminstri Edi Rama ishte pjesëmarrës në konferencën rajonale “Formësimi i së Ardhmes së GovTech” në lidhje me angazhimin e teknologjisë digjitale në qeverisje.

Edi Rama shprehu se Shqipëria është ndër të parat në rajon dhe një ndër shërbimet digjitale më të rëndësishme ësht e-Albania e cila ka bërë të mundur mos pritjen në rradhë të qytetarëve.

“Sa herë që vjen fjala për të diskutuar lidhur me këtë temë, unë besoj që është e udhës të ndaj me ju se menjëherë më kujtohet periudha e pandemisë dhe duke menduar për atë periudhë përpiqem të marr me mend se çfarë do kishte mundur të bënte Shqipëria nëse nuk do të ishim në nivelin e përparimit dixhital ku na gjeti ajo goditje globale.

Shqipëria që ne morëm përsipër të udhëheqim ishte një vend ku faktikisht qeverisja dixhitale nuk ishte akoma në belbëzimet e para dhe ajo që sot është porta e madhe e hyrjeve dhe daljeve të shqiptarëve në gjithë labirinthet e administratës publike përmes kompjuterit apo telefonit, ishte asokohe një qenie krejtësisht  e papërfillshme në raport me gjithë nevojat e adminstratës dhe qytetarëve për të ndërvepruar me një numër qesharak shërbimesh dhe me një numër edhe më qesharak përdoruesish. Momenti i pandemisë bëri edhe atë që u kthye në një përqafim të plotë të gjithë bashkësisë shqiptare që ndërvepron me shtetin shqiptar me teknologjinë dhe me qeverinë në kuptimin e qeverisjes së shërbimeve përmes e-Albania. 3.2 milionë përdorues që ndërveprojnë me e-Albania janë një shifër shumë kuptimplotë dhe një shifër jo karakteristike edhe për vende shumë të zhvilluara. Dhe ky është edhe bekimi ynë, i vendeve në zhvillim, për të përparuar me një shpejtësi edhe me më të madhe se sa ata që janë prej kohësh në trenin e progresit, por për të revolucionarizuar gjithë sistemin e qeverisjes së shërbimeve u duhet të bëjnë kthesa dhe çmontime shumë të konsiderueshme. Të gjithë sot flasin për shembullin e Gjermanisë, por pikërisht pse ka një makineri administrative të ndërtuar prej shumë kohe e ka më të vështirë t’i adaptohet gjithë këtij procesi. Është si një anije shumë e madhe kthesa e së cilës kërkon shumë më tepër karburant dhe kohë. Ndërkohë që për ne ky është bekim shumë i madh për të arritur të fitojmë kohën e humbur”.

Një pikë thelbësore që Kryeministri Rama theksoi ishte siguria kibernetike. Ai vuri në dukje sulmin kibernetik të Iranit, duke theksuar se dëmet për Shqipërinë do të kishin qenë më të mëdha nëse nuk do të ishin ndërmarrë disa masa paraprake, të cilat tani po forcohen më tej pas atij incidenti.

“Sot ne jemi në një fazë tjetër dhe faktikisht diskutojmë për gjëra të tjera. Do të ishim sot në një situatë të ndryshme nëse kur u goditëm nga pikëpamja kibernetike nga një prej fuqive më të mëdha në këtë drejtim, por edhe nga një prej fuqive më malinje, Iranit, nuk do kishim qenë në gjendje të rezistonim por rezistuam. Pse kemi vendosur një bazë të tillë jemi në kushtet kur po hedhim hapat e parë të një faze të re të revolucionit teknologjik. Pse në shumë aspekte rruga tradicionale do të ishte shumë herë më e vështirë për të arritur objektivat për të cilat pastaj ne ballafaqohemi me ëndrrën tonë të madhe të anëtarësimit në BE, kjo rrugë na jep shumë më tepër optimizëm, sepse ne do të jemi gati. Ne po bëjmë procesin e integrimit në BE në fazën e negociatave për anëtarësim falë një instrumenti të ri të papërdorur nga një shtet tjetër më parë, që është një model i ndërtuar prej nesh enkas i inteligjencës artificiale. Ky model na jep mundësinë që të realizojmë në një kohë shumë më të shpejtë të gjithë procesin e transferimit të gjithë trupit legjislativ të BE, të realizojmë përkthimin në kohë rekord por edhe të kemi në kohë rekord analiza të teksteve për ato aspekte që na interesojnë lidhur me impaktin e këtyre ligjeve të reja. Nuk bëhet fjalë për disa qindra, por bëhet fjalë për mijëra. Deri dje ritmi i punës sonë legjislative lidhur me këtë lloj legjislacioni ishte rreth 60 copë pjesë në vit, këtu bëhet fjalë për mbi 4 mijë, imagjinoni sa i gjatë do të ishte procesi dhe do na duhej një armatë e tërë me përkthyes, draftues dhe korrektues”.