Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Rama nga Brukseli: Synimi ynë, mbyllja e negociatave deri në vitin 2027

14/04/2025

Rama nga Brukseli: Synimi ynë, mbyllja e negociatave deri në vitin 2027

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Bruksel, ku po zhvillon një takim me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Gjatë bisedës, u diskutua mbi ecurinë e procesit të negociatave, ndërsa Shqipëria hap sot një tjetër grup kapitujsh në kuadër të Konferencës së katërt Ndërqeveritare.

Gjatë një deklarate të përbashkët për mediat nga Brukseli, përpara takimit, Kryeministri Rama bëri të ditur se në fokus të bisedimeve janë përgatitjet për Samitin e Komunitetit Politik Europian më 16 maj, si dhe zhvillimet në rajon. Presidenti pritet të realizojë vizitën e tij të parë zyrtare pak para këtij samiti.

“Jam shumë i kënaqur që gjendem këtu me Presidentin e Këshillit Europian i cili me mençurinë e vëmendjen e tij ndaj vendit e rajonit tonë është diçka që e vlerësoj shumë. Sot sigurisht është një ditë shumë e mirë për ne, sepse kemi një tjetër Konferencë dhe çelim kapituj të tjerë, ndërkohë që me Presidentin jam shumë mirënjohës për kohën që më ka kushtuar për të zhvilluar një bisedë rreth përparimit që ne po bëjmë në këtë proces”, tha Rama.

Sipas Kryeministrit Rama, samiti i ardhshëm i Komunitetit Politik Europian është një ngjarje tejet e rëndësishme në përgjithësi, por merr një rëndësi të veçantë në këtë periudhë dhe kontekst aktual.

“Sigurisht edhe do të flasim për rajonin ndaj të cilit Presidenti është veçanërisht i përkushtuar. Kështu që ka shumë për të diskutuar, por në përgjithësi jam shumë, shumë i inkurajuar nga këto zhvillime”, shprehu Rama.

Gjithashtu ai theksoj se “jemi tej mase të përkushtuar për të përmbushur të gjitha detyrat e kalendarit që është shumë ambicioz për të mbyllur të gjitha negociatat brenda vitit 2027”.