Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Rama: Nis rrugëtimin hekurudha kuqezi që do të lidhë Durrësin me Prishtinën

15/04/2025

Rama: Nis rrugëtimin hekurudha kuqezi që do të lidhë Durrësin me Prishtinën

Projekti i hekurudhës Durrës-Prishtinë vlerësohet si një nga investimet më strategjike në infrastrukturë, me ndikim të madh për zhvillimin kombëtar dhe ekonomik në mbarë rajonin.

Rruga e planifikuar për këtë linjë hekurudhore përfshin kalimin nga Durrësi në drejtim të Shkodrës, për të vijuar më tej në Gjakovë e deri në Prishtinë. Ditën e djeshme u prezantua edhe studimi i fizibilitetit, që shënon një hap të rëndësishëm drejt realizimit të këtij projekti.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamjet e rrugës që do të ndjekë hekurudha, duke theksuar se “hekurudha kuqezi tashmë merr udhë”.

Hekurudha që do të lidhë Durrësin me Prishtinën ka një rëndësi të shumëanshme, jo vetëm për transportin tregtar duke krijuar një lidhje strategjike mes portit të Durrësit dhe portit të thatë në Prishtinë, por edhe për udhëtimin e qytetarëve, duke ofruar më shumë mundësi dhe alternativa lëvizjeje midis dy vendeve.

Pas përfundimit të studimit të fizibilitetit, pritet të shpallet një garë ndërkombëtare e përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës, me qëllim nisjen sa më të shpejtë të ndërtimit të kësaj hekurudhe, e cila është konsideruar prej kohësh një ëndërr e madhe ende e paplotësuar.