Rama prezanton Tirana Walk 2021 projekti më i ri që rikoncepton zonën e ish-Bllokut
di Redazione
24/02/2025
Projekti “Tirana Walk 2021” synon të transformojë ish-Bllokun në një zonë këmbësore, duke krijuar një hapësirë urbane të ridizajnuar që i vendos qytetarët në qendër, duke minimizuar përdorimin e automjeteve. Kjo nismë synon të përmirësojë cilësinë e jetesës dhe të rrisë hapësirat publike në kryeqytet.
I prezantuar në praninë e Kryeministrit Rama në vilën 31 ky projekt, është një bashkëpunim mes Bashkisë së Tiranës dhe rrjetit global “WALK 21”. Projekti promovon ecjen dhe synon krijimin e një mjedisi të sigurt dhe mikpritës për këmbësorët, duke inkurajuar një mënyrë jetese më të shëndetshme dhe më ekologjike.
“Tirana Walk 2021” përfshin transformimin e rrugëve kryesore në ish-Bllok në zona më të sigurta dhe të rehatshme për këmbësorët, duke zgjeruar trotuaret dhe eliminuar rreshtat e parkimit. Ky ndryshim synon të përmirësojë qarkullimin dhe aksesin për qytetarët, duke krijuar gjithashtu më shumë hapësira publike.
"Mund t’i zgjerosh rrugët në këtë zonë këtu edhe me një korsi tjetër duke prerë pemët, por nuk do të ndryshojë, përkundrazi. Ka shumë gjasë që fluksi i trafikut dhe intensiteti i trafikut të rritet, ndërkohë që e kundërta edhe pse është kundër-intuitive në një farë mënyre, por përgjithësisht rezulton e vërtetë, dekurajimi i trafikut është përgjigja dhe besoj që në ketë zonë, do t’ia vlejë shumë që të ecet me këtë projekt sepse është një zonë qendrore, është një zonë e aksesueshme lehtësisht, është një zonë nga ku përgjithësisht banorët distancat që duhet të përshkuajnë, nuk i kanë të gjata dhe patjetër është një zonë që duke stimuluar ecjen dhe duke stimuluar qarkullimin e njerëzve, do të jetë dhe shumë efikase edhe për bizneset qe janë në zonë të cilat janë ato që ankohen të parat për ndërprerjen e aksesit të drejtpërdrejtë me makinë deri tek dera por që pastaj janë përfituesit kryesore gjithmonë nga kjo."- shprehu Rama për projektin e ri.
"Dua vetëm të falënderoj projektuesit, të inkurajoj bashkinë që ta çojë përpara këtë projekt dhe me siguri më herët sesa vonë me Ministrinë e Brendshme dhe me Policinë e Shtetit ne do ndërhyjmë për të frenuar në mënyrë dramatike dhe të domosdoshme parkimin e dyfishtë, që do lehtësojë shumë procese të tjera pastaj dhe do bëjë që edhe projekti të funksional." e mbylli Rama me një falenderim për zhvilluesit e projektit.