Rama viziton kantierin e ndërtimit të Polit të Sigurisë Kibernetike: Një objekt me standarde të larta sigurie
di Redazione
07/01/2025
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, inspektoi sot kantierin e ndërtimit të kompleksit të godinave qeveritare në Sauk, Tiranë, ku do të akomodohen disa agjenci që operojnë në fushën e informacionit dhe sigurisë kibernetike, duke u njohur nga afër me projektin dhe afatet e realizimit të tij.
"E rëndësishme për ne kjo godinë sepse është një godinë e standardeve të sigurisë së lartë, përveç aktivitetit në brendësi të saj. Së fundi është pajisur me një teknologji të fjalës së fundit që na vë në vendet e larta të klasifikimit në Europë për mbrojtjen."
"Është një agjenci kyçe përsa i përket përpjekjeve për të luftuar me evazionin dhe paratë që vijnë nga veprimtaritë kriminale. Është një godinë me shumë rëndësi dhe ka një pozicion shumë të favorshëm, e shkëputur, por edhe afër qendrës. Por edhe si fazë e parë e asaj që vjen më mbrapa për të ndërtuar me standarde Akademinë e Policisë." , shprehu Rama
"Një pjesë e zyrave do të jenë në nivelin -1, kati -2 do të jetë me vende parkimi. Këtu do të ketë vendndodhjen dhe Akademia Kibernetike. Nevoja që kemi na ka detyruar ta ngremë këtë akademi. Holli është parashikuar të jetë një holl modular që do të ndryshojë sipas eventeve që do të ketë aty." theksoj Balluku
Kryeministri vlerësoi rolin e rëndësishëm të agjencisë në nxjerrjen e Shqipërisë nga lista gri e pastrimit të parave, si dhe në përpjekjet për të luftuar evazionin fiskal dhe burimet kriminale të financimit.
“Kjo është një godinë me rëndësi dhe ka një pozicion shumë të favorshëm, edhe si fazë parë e asaj që vjen më mbrapa për të ndërtuar më tutje standarde të reja për të gjithë pjesën e Akademisë së Policisë dhe Akademisë së Sigurisë”, tha Rama