Raporti i Maturës Shtetërore 2024, Manastirliu: Përmirësim i ndjeshëm i notës mesatare vjetore, përparim i dukshëm në matematikë
di Redazione
20/01/2025
Gjatë prezantimit të Raportit Publik të Maturës 2024, u theksua përqindja më e lartë e kalueshmërisë ndër vite dhe përmirësimi i notës mesatare vjetore. Ministrja e Arsimit dhe Sportit diskutoi gjithashtu mbi planin e masave për testin PISA 2025, me fokus përmirësimin e performancës së nxënësve në rezultate.
Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me Qendrën e Shërbimeve Arsimore, prezantoi sot raportin e detajuar të Maturës Shtetërore 2024. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve arsimore, drejtues shkollash dhe koordinues të Maturës Shtetërore nga Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar, Drejtoritë Rajonale, si dhe përfaqësues të Agjencisë Kombëtare dhe asaj të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, vlerësoi Maturën Shtetërore 2024 si një proces të suksesshëm, duke theksuar aspektet pozitive në administrim, transparencë dhe respektimin e meritokracisë.
“Në Maturën Shtetërore kanë marrë pjesë rreth 27 mijë nxënës nga shkollat e mesme publike dhe jo publike me një kalueshmëri prej 99.42%, që në fakt është një përqindje më e lartë kalueshmërie se ajo e një viti më parë, dhe në trend disa vjeçar është më e larta në këtë 5 vjeçar”, shprehu Manastirliu.
“Nota Mesatare Vjetore e Maturës Shtetërore 2024 ka shënuar rritje krahasuar me një vit më parë. Ajo vlerësohet 7.58, krahasuar me 2023-shin, ku nota mesatare vjetore e Maturës Shtetërore rezultoi 7.3.
Ndërsa nota mesatare e provimeve të maturës 2024 qëndron thuajse në të njëjtat nivele krahasuar me maturën 2023. Vlerësohet se ka një rritje në notën vjetore të Maturës Shtetërore në lëndën e Matematikës në krahasim me 2023-shin nga 6.72 që vlerësohet mesatarja e notës vjetore në Matematikë në këtë vit, pra në 2024 që është bërë kjo analizë rezulton në 7.79. Rritje është shënuar gjithashtu edhe në notën mesatare të provimit të Maturës Shtetërore në Matematikë në këtë vit, krahasuar me një vit më parë.”, deklaroi Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manstirliu.
Articolo Precedente
Marco Alberti është caktuar si ambasadori i ri i Italisë në Shqipëri
Articolo Successivo
75% e popullsisë është vaksinuar për mbrojtjen ndaj gripit