Rrugë e hapur për pensionet: Mbi 150 shqiptarë përfitojnë nga marrëveshja me Italinë
di Redazione
18/07/2025
Prej datës 1 korrik ka hyrë në fuqi marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të sigurimeve shoqërore mes Shqipërisë dhe Italisë, e cila tashmë ka filluar të japë frytet e para. Më shumë se 150 shtetas shqiptarë kanë nisur procesin për përfitimin e pensionit sipas kësaj marrëveshjeje, që i njeh atyre vitet e punës në të dyja vendet.
Për të ndjekur nga afër zbatimin e kësaj marrëveshjeje, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, priti në një takim zyrtar në Tiranë drejtoreshën e përgjithshme të Institutit Kombëtar të Sigurimeve Shoqërore të Italisë (INPS), znj. Valeria Vittimberga. Diskutimi u përqendrua në mënyrën se si po ecën bashkëpunimi mes institucioneve dhe lehtësimi që kjo marrëveshje sjell për qytetarët.
Marrëveshja bën të mundur që periudhat e sigurimit të realizuara në Shqipëri dhe Itali të njihen në mënyrë të ndërsjellë, duke u llogaritur për përfitimin e pensionit sipas legjislacionit të secilit vend.
“Deri tani, kërkesat e para janë kryesisht për bashkimin e periudhave të sigurimit për qëllime pensioni në Itali, si dhe nga individë që nuk plotësojnë minimumin prej 15 vite sigurim në Shqipëri”, - informoi ministri.
Për të mundësuar një shërbim efikas dhe të përshpejtuar, ISSH ka ngritur infrastrukturën e nevojshme për përpunimin e kërkesave dhe shkëmbimin elektronik të të dhënave me palën italiane. Kjo pritet të shkurtojë ndjeshëm kohën e pritjes për aplikuesit dhe të minimizojë burokracitë.
Gjithashtu, janë publikuar udhëzime të detajuara dhe manuale praktike për të ndihmuar çdo kategori qytetari në procesin e aplikimit, duke siguruar transparencë dhe udhëzim të saktë.
Articolo Precedente
Lirimi i hapësirave publike në Tiranë, në fokusin e vëmendjes së Ramës