Shi i rrëmbyeshëm në Tiranë/ Rrugët pushtohen nga uji
nga Redazione
03/11/2023
Nëntori erdhi furishëm ditën e sotme kur stuhia nga Italia u transferua dukshëm dhe në kryeqytet. Rrugë të përmbytura, shi i shoqëruar nga erë e furishme,pemë të rrëzuara -ishte kjo pamja e përgjithshme kudo në Tiranë.
Lumi Lana gjithashtu raportohet të ketë dalë nga shtrati si pasojë e shiut të dendur. Qytetarët e zonës janë shqetësuar tej mase nga gjendja e krijuar. Ata mendojnë që problemi qëndron tek ura.
Shumë rrugë janë mbuluar nga uji dhe makinat mezi kalojnë për të vazhduar rutinën e përditshme. Edhe kalimtarë të shumtë përballen me vështirësi në kalim dhe çadra që fluturojnë nga era e stuhishme.
Stuhia është e ngjashme me atë në Firence e Toskana të Italisë gjatë natës. Kryetari i Bashkisë i ka bërë thirrje qytetarëve të reduktojnë lëvizjet e panevojshme sa të normalizohet situata dhe të tregojnë kujdes orët në vazhdim pa përhapur panik. Ai njofton se ekipi i emergjencave po vepron në terren dhe gati për t`u ardhur në ndihmë banorëve.
Paraqiten rrugë me probleme : zona tek Pallati me Shigjeta,Rruga e Elbasanit, Rruga e Selvisë, etj.Shumë akse rrugore kanë paralizuar lëvizjen duke krijuar ngërç në kalimin normal nga një anë e Tiranës në tjetrën.
Bizneset nuk kanë shpëtuar nga e gjithë kjo rrëmujë, kanë hasur pengesa në vazhdimin e ditës së zakonshme. Shiu i madh ka arritur të depërtojë në brendësi të tyre.
Parashikimet meteorologjike paralajmërojnë vazhdimësinë dhe pas mesditës. Rekomandohet që të tregohet kujdes maksimal dhe të mbani çadrën me vete.
Artikulli i Mëparshëm
Silvi Flowers/Vendi ideal i luleve për çdo event të jetës