Shkolla e Hoteleri-Turizmit me standardet e Lozanës, mundësi e shkëlqyer për profesionistët e rinj
di Redazione
12/12/2024
Sot, një vizitë e rëndësishme u zhvillua në ambientet e Shkollës së Mesme Profesionale “Hoteleri-Turizëm” në Tiranë, ku morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Ambasadorja e Zvicrës znj. Ruth Huber, Drejtori i Shkollës Ecole Hôtelière de Lausanne, Dr. Juan Perellon, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Kjo vizitë shënoi një moment të rëndësishëm për arsimin dhe zhvillimin profesional të rinisë shqiptare, pasi u implementua për herë të parë Programi VET by EHL.
Ky program i njohur, i zhvilluar në bashkëpunim me Ecole Hôtelière de Lausanne, një nga shkollat më prestigjioze të hotelerisë dhe turizmit në botë, synon të ofrojë mundësi të reja për nxënësit shqiptarë që të përgatiten për karriera ndërkombëtare në industrinë e mikpritjes. Me këtë iniciativë, të rinjtë e Shqipërisë do të kenë mundësinë të zhvillojnë aftësi profesionale të nivelit të lartë dhe të integrohen në një industri që është vazhdimisht në rritje dhe ndryshim.
Ky program do të kontribuoni ndjeshëm në forcimin e lidhjeve ndërkombëtare dhe në rritjen e mundësive për zhvillimin e sektorëve të turizmit dhe mikpritjes, dy fusha me potencial të madh në ekonominë e vendit. Vizioni është të krijohen profesionistë të gatshëm për të përballuar sfidat e industrisë dhe për të ofruar shërbime me standarde të larta.
Ky projekt është një hap i rëndësishëm për arsimimin dhe mundësitë e rinisë shqiptare, duke ofruar një platformë të shkëlqyer për zhvillimin e karrierës dhe mundësitë për të kontribuar në një industri me perspektiva të mëdha zhvillimi.
“Kjo shkollë, siç kam pasur mundësi të shoh është shumë mirë e pajisur dhe shohim që ekipi është shumë i motivuar, drejtorët dhe mësuesit. Tani të ngritur të standardet të hotelerisë në Lozanë që janë standardet me cilësi shumë të lartë. Një përfaqësim i standardeve më të larta të Zvicrës. Pra mendoj që është një mundësi e shkëlqyer për ju dhe të keni një të ardhme të shkëlqyer këtu në vend ku ka një kërkesë të madhe për njerëz të kualifikuar mirë në sektorin e mikpritjes dhe turizmit”, theksoj Ambasadorja e Zvicrës znj. Ruth Huber.
“Është realisht historike kjo për gjithë sistemin e edukimit edhe të trajnimeve profesionale, sepse tanimë këtu vihet në shkollën e mesme të Hoteleri-Turizmit, por studiohet me standardet dhe me të gjithë diturinë e shkollës së Lozanës EHL, që është në mos shkolla më e mirë në botë, një nga 3 shkollat më të mira në botë. Dhe për ne është vërtetë një moment krenarie, sepse unë nuk e kam menduar personalisht që në një kohë kaq të shkurtër ne do të arrinim të përmbushnim të gjitha standardet e kërkuara nga shkolla e Lozanës, sepse këta janë zviceranë dhe ju e dini shumë mirë si është ajo shprehja popullore “kërkojnë qimen në vezë”, por këta në fakt kërkojnë qimen në qime. Dhe fakti që pas kanë kërkuar qimen në qime janë plotësisht të angazhuar dhe tani kemi këtë binjakëzim, që nuk është binjakëzim simbolik, por është një binjakëzim i punës i përditshme, kjo është një gjë fantastike për të gjithë ata që studiojnë dhe që do të studiojnë në këtë shkollë, sepse kur të dalin do të kenë një dokument që provon që kanë marrë okejin nga shkolla e Lozanës për të shërbyer në Hoteleri-Turizëm dhe patjetër pastaj me atë dokument do të shkoni dhe do të kërkoni paga shumë të larta”, shprehu Edi Rama.