“Shqipëri 2025”- Grupi ndërinstitucional i punës nis përgatitjet për finalet e EURO U-17 me mbledhjen e parë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit
di Redazione
10/01/2025
Finalet e Kampionatit Europian U-17, që do të mbahen në Shqipëri në vitin 2025, përfaqësojnë një nga ngjarjet sportive më të rëndësishme të vitit dhe organizohen nga FSHF në partneritet me UEFA-n.
Për t’i siguruar suksesin kësaj ngjarjeje historike, Federata Shqiptare e Futbollit ka ndërmarrë një punë të palodhur gjatë muajve të fundit, duke realizuar investime të mëdha në infrastrukturën sportive. Po ashtu, janë përgatitur plane të detajuara në çdo aspekt për të garantuar një mikpritje dinjitoze për këtë event të rëndësishëm, që shënon edhe organizimin e parë të një kampionati të tillë në Shqipëri.
Në vijim të përgatitjeve, është krijuar një grup pune ndërinstitucional, që do të sigurojë koordinimin dhe mbarëvajtjen e organizimit për ndeshjet finale të EURO U-17.
Në ambientet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit u mbajt mbledhja e parë e grupit ndërinstitucional për organizimin e Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025”. Në këtë takim, FSHF u përfaqësua nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Pano Xhixho, dhe drejtuesja e Departamentit të Projekteve, Evia Kumria. Gjithashtu, morën pjesë Zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha, përfaqësues të katër bashkive pritëse dhe përfaqësues të institucioneve kyçe, si Ministria e Turizmit dhe Policia e Shtetit.
Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit e FSHF-së prezantuan progresin e deritanishëm të përgatitjeve, rëndësinë e këtij aktiviteti dhe sfidat që duhen adresuar për të garantuar suksesin e eventit.
Mbledhja e ardhshme pritet të zhvillohet në javët e ardhshme, ku do të bëhet ndarja e përgjegjësive dhe detyrave mes institucioneve dhe anëtarëve të grupit të punës, duke synuar një koordinim efikas për këtë ngjarje madhore.
Articolo Precedente
Ambasadori i BE Gontazo takim me Kryetaren e KLP