Shqipëri-Izrael , Ministrat Koçiu dhe Buso nënshkruajnë Memorandum Bashkëpunimi në Tiranë
di Redazione
17/04/2025
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Albana Koçiu, dhe Ministri i Shëndetësisë së Izraelit, z. Uriel Buso, nënshkruan sot në Tiranë një memorandum dypalësh që synon zgjerimin e bashkëpunimit në fusha si mjekësia digjitale, emergjencat shëndetësore, teknologjia dhe pajisjet mjekësore.
Gjatë fjalës së saj në lidhje me nënshkrimin e memorandumit, Ministrja e Shëndetësisë, znj. Albana Koçiu, theksoi se ky dokument është pjesë e partneritetit në vazhdim me qendrën spitalore SHEBA – një nga institucionet më të avancuara në botë – për transformimin e Spitalit Onkologjik. Ajo gjithashtu nënvizoi “ka nisur puna për modernizimin e protokolleve të trajtimit, si dhe rritjen e kapaciteteve të mjekëve tanë”.
Duke theksuar rëndësinë e këtij partneriteti strategjik në fushën e shëndetësisë, ministrja Koçiu deklaroi se "ky bashkëpunim ka një synim të qartë: standarde europiane dhe trajtim dinjitoz për qytetarët tanë". Vizita e Ministrit izraelit Buso u parapri nga një sërë shkëmbimesh intensive mes dy vendeve. Pak ditë më parë, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë zyrtare në Izrael, ndërsa në muajin mars, ministrja Koçiu vizitoi kompleksin mjekësor SHEBA. Më herët, në shtator 2024, Shqipëria priti vizitën historike të Presidentit izraelit, Isaac Herzog.