Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Shqipëria 16 vite në NATO , Vengu :Shqipëria vijon të jetë një faktor kyç në arkitekturën e sigurisë së NATO-s

04/04/2025

Shqipëria 16 vite në NATO , Vengu :Shqipëria vijon të jetë një faktor kyç në arkitekturën e sigurisë së NATO-s

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu shprehu sot se Shqipëria vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në arkitekturën e sigurisë së NATO-s.

Ai e cilësoi angazhimin e vendit në Aleancë si një rrugëtim të përkushtuar dhe me kontribut të vazhdueshëm në sigurinë euroatlantike.

Gjithashtu, Vengu theksoi se Shqipëria është pjesë e një familjeje të madhe, e cila sot shënon 76 vjet nga themelimi i saj.

“4 Prill – Shqipëria 16 vite në NATO. Krenarë për rreshtimin në krah të aleatëve tanë pa u ndalur në misionin për modernizimin e mbrojtjes tonë, sot me ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, me kapacitete të reja luftarake dhe strategjike, investime në infrastrukturë dhe industrinë ushtarake”, shkruajti ai në rrjete sociale.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, më 1 prill 2009, është një ndër arritjet më të rëndësishme historike, për vendin dhe për mbarë kombin shqiptar. Tashmë Shqipëria e sheh sigurinë e saj pazgjidhshmërisht të lidhur me sigurinë euro-atlantike sipas prerogativave të Traktatit të Atlantikut të Veriut. Në 15-vjetorin e anëtarësimit në NATO dhe 75-vjetorin e themelimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut, Shqipëria mbetet një aleate e përkushtuar dhe e besueshme e Aleancës më jetëgjatë dhe më të fuqishme në botë, e cila sot numëron 32 vende anëtare.