Shqipëria angazhohet në stërvitjen ndërkombëtare të sigurisë kibernetike “Cyber Yankee 2025”
di Redazione
19/05/2025
Njësia Ushtarake e Sigurisë Kibernetike (NJUSK) e Shqipërisë mori pjesë me sukses në stërvitjen ndërkombëtare vjetore “Cyber Yankee 2025”, e zhvilluar në Qendrën e Trajnimit Edward Cross, New Hampshire, SHBA, nga 5 deri më 16 maj 2025. Aktiviteti u organizua nga Gardat Kombëtare të shteteve të New England dhe New Jersey, në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror.
“Cyber Yankee” konsiderohet si një nga stërvitjet më të rëndësishme taktike për mbrojtjen kibernetike në SHBA. Qëllimi i saj është të verifikojë aftësinë për të reaguar ndaj incidenteve që cenojnë infrastrukturën kritike – si energjia, gazi dhe furnizimi me ujë – përmes një bashkëpunimi të ngushtë mes forcave të armatosura, institucioneve shtetërore, sektorit privat dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Edicioni i njëmbëdhjetë i stërvitjes mblodhi mbi 300 pjesëmarrës, përfshirë anëtarë të gardave kombëtare të ushtrisë, forcave ajrore, marinës dhe forcave hapësinore të SHBA-së. Në stërvitje morën pjesë edhe përfaqësues nga Komanda Kibernetike e SHBA-së, Agjencia për Sigurinë Kibernetike dhe Infrastrukturën (CISA), Departamenti i Energjisë si dhe agjenci të tjera federale e shtetërore.
Shqipëria ishte një nga gjashtë vendet partnere ndërkombëtare të ftuara në stërvitje, krahas Bahamas, El Salvadorit, Izraelit, Kenias dhe Paraguajit. Ekipi shqiptar u dallua për profesionalizmin në trajtimin e incidenteve kibernetike, analizën e kërcënimeve dhe zbatimin efektiv të operacioneve mbrojtëse në mjedisin digjital.
Gjatë stërvitjes, anëtarët e ekipit shqiptar morën pjesë në garat “Capture the Flag” (CTF), të organizuara nga Instituti Ndërkombëtar SANS – sfida të avancuara në fushën e sigurisë kibernetike që testojnë aftësitë për të identifikuar dhe shfrytëzuar cenueshmëri në sisteme të simuluara. Në një konkurrencë me mbi 300 pjesëmarrës, ekipi shqiptar shënoi një sukses të jashtëzakonshëm, duke zënë 4 vendet e para dhe duke dëshmuar nivel të lartë teknik, përgatitje të shkëlqyer dhe profesionalizëm të Njësisë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike.
Pjesëmarrja në këtë stërvitje shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve kombëtare në sigurinë kibernetike dhe në thellimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë. Në kushtet e rritjes së kërcënimeve digjitale, këto lloj angazhimesh janë thelbësore për ndërtimin e një reagimi të koordinuar dhe efektiv ndaj sfidave globale në fushën e sigurisë kibernetike.