Shqipëria arrin rezultate pozitive në vlerësimin mbi përpjekjet për parandalimin e korrupsionit në qeverisjen qendrore dhe forcat e sigurisë
di Redazione
21/03/2025
Shqipëria ka përfunduar me sukses vlerësimin e GRECO-s mbi përpjekjet për parandalimin e korrupsionit në qeverisjen qendrore dhe forcat e sigurisë.
Ky rezultat u bë i ditur sot në Konferencën Ndërinstitucionale “Nga angazhimi në rezultate: Progresi në parandalimin e korrupsionit”, organizuar nga Ministria e Brendshme dhe Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Në këtë aktivitet morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, si dhe përfaqësues ndërkombëtarë.
"Sot më vjen shumë mirë që jemi këtu për këtë tjetër raport domethënës dhe inkurajues për progresin që kemi bërë në një farë mënyre është një tjetër kala që marrim, duke pasur parasysh se kur kemi nisur këtë rrugëtim nga të katër anët raportet ishin tejet problematike dhe ky raport vjen pas atij të SIGMA-s pak kohë më parë i cili realisht ma dha shumë energji pozitive dhe na dha shumë arsye për tu ndjerë edhe më të motivuar duke e renditur Shqipërinë të parën në rajon për integritetin e Prokurimeve Publike me një diferencë domethënëse nga vendi i dytë, të parën në rajon për financimin, për menaxhimin e financimeve publike me diferencë nga vendi i dytë dhe të parën në rajon për administrimin e burimeve njerëzore me diferencë nga vendi i dytë." - shprehu Rama.