Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Shqipëria bëhet anëtare e Drejtorisë së Çelësave Publikë (PKD) të ICAO

03/04/2025

Shqipëria bëhet anëtare e Drejtorisë së Çelësave Publikë (PKD) të ICAO

Shqipëria bëhet anëtare e 99-të e Drejtorisë së Çelësave Publikë (PKD) të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), duke u bashkuar me këtë organ ndërkombëtar të aviacionit.

Kompania IdentiTek, që prej themelimit, ka pasur një rol të rëndësishëm në përparimin e sistemit të identifikimit në Shqipëri. ICAO PKD është një platformë ndërkombëtare për ndarjen e informacionit lidhur me dokumentet e udhëtimit, duke asistuar shtetet anëtare në verifikimin e pasaportave biometrike. Si agjenci e Kombeve të Bashkuara, ICAO punon me 193 shtete për të siguruar një rrjet të shpejtë dhe të sigurt për lëvizshmërinë ajrore globale.

Anëtarësimi i Shqipërisë në ICAO PKD e vendos vendin në një pozicion më të lartë besueshmërie dhe bashkëpunimi në skenën ndërkombëtare. Kjo siguron që autenticiteti i pasaportës shqiptare do të pranohet nga të gjitha shtetet anëtare të ICAO PKD, duke rritur ndjeshëm sigurinë kufitare dhe duke kontribuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit në nivel global.

Për qytetarët shqiptarë, përvoja e udhëtimit ndërkombëtar përmirësohet, duke bërë kalimin në pikat doganore më të lehtë dhe më të shpejtë.

Verifikimi i pasaportës realizohet përmes konfirmimit të certifikatës digjitale, e cila është e vendosur në zonën e lexueshme nga makinat MRZ (Machine Readable Zone).Ceremonia zyrtare e shkëmbimit të çelësave publikë, "Key Signing Ceremony", u zhvillua në Montreal, Kanada, ku delegacioni shqiptar u përfaqësua nga Administratorja e IdentiTek, Freskida Halilaj. Ajo nënshkroi marrëveshjen për përfshirjen e Shqipërisë në sistemin global të PKD-së.