Shqipëria dhe Turqia, aleatë për paqen dhe sigurinë në vizitën zyrtare të Elisa Spiropalit në Ankara
di Redazione
18/07/2025
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali, zhvilloi një vizitë zyrtare në Turqi, me ftesë të Presidentit të Asamblesë së Madhe Kombëtare, z. Numan Kurtulmuş. Gjatë qëndrimit në Ankara, znj. Spiropali u prit në një takim zyrtar nga kreu i Asamblesë turke, ku të dyja palët vlerësuan marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve dhe rolin që luajnë në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
Në delegacion morën pjesë deputetët Mimi Kodheli, Eduard Shalsi, Milva Ekonomi, Damian Gjiknuri, Lefter Gështenja, Bardhyl Kollçaku dhe Kreshnik Çollaku, si dhe ambasadorja e Shqipërisë në Ankara, znj. Blerta Kadzadej.
Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, duke theksuar bashkëpunimin parlamentar dhe përkushtimin për forcimin e marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve.
"Ne i jemi mirënjohës Turqisë për mbështetjen e Kosovës: për lobimin për njohjen ndërkombëtare dhe ndalimin e fushatës agresive të disa shteteve për anullimin e njohjeve, institucionalizimin e marrëdhënieve me NATO-n, anëtarësimin në Këshillin e Europës dhe pjesëmarrjen në veprimtaritë rajonale e shumëpalëshe. 18 anëtarët e delegacionit të Turqisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës mbështetën Rezolutën për pranimin e Kosovës, në prill 2024.
Shqipëria do të vijojë qëndrimin e palëkundur në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, në përputhje me qëndrimin e BE-së dhe SHBA-së.”, - theksoi znj. Spiropali gjatë fjalës së saj.
Presidenti i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Numan Kurtulmuş, vlerësoi marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Turqisë, duke i cilësuar si dy vende mike me lidhje historike të thella dhe vizion të përbashkët për stabilitetin dhe paqen në Ballkan. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit parlamentar dhe synimin për të avancuar marrëdhëniet ekonomike, tregtare e kulturore mes dy vendeve, në kuadër të partneritetit në NATO dhe realiteteve të një bote shumëpolare.
Pas takimit zyrtar, Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, dhe Presidenti Kurtulmuş dhanë deklarata për mediat. Delegacioni shqiptar u përshëndet edhe në seancën plenare të Parlamentit turk, ndërsa në nisje të vizitës zyrtare, znj. Spiropali vendosi një kurorë me lule në Mauzoleun e Ataturkut dhe vizitoi Muzeun e Luftës për Pavarësi.