Shqipëria digjitale, përkrah të rinjve inovatorë që kanë përfunduar me sukses kursin e programimit në teknologji dhe inovacion
di Redazione
30/04/2025
Programi i kodimit përfaqëson një nga iniciativat më ambicioze të qeverisë në funksion të vizionit për Shqipërinë Digjitale, me synimin për të pajisur qytetarët, sidomos të rinjtë, me aftësi të avancuara digjitale në fusha të kërkuara nga tregu i punës. Kjo nismë synon të nxisë punësimin cilësor dhe të përshpejtojë transformimin teknologjik të vendit.
Në këtë kuadër, qeveria ka mbështetur financiarisht kurse profesionale në fushën e teknologjisë dhe kodimit për të rinjtë, ku një numër i madh pjesëmarrësish kanë përmbyllur me sukses trajnimet intensive të zhvilluara nga qendra të specializuara.
Për të ruajtur motivimin e të rinjve, për të forcuar rrjetëzimin profesional dhe për të krijuar një platformë të qëndrueshme bashkëpunimi e shkëmbimi idesh, u zhvillua sot një event i veçantë. Ky aktivitet mblodhi së bashku të rinjtë përfitues të programit të kodimit, mentorët e tyre, përfaqësues të sektorit privat dhe aktorë të tjerë të ekosistemit digjital, me qëllim ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe përshpejtimin e integrimit të të rinjve në tregun e punës.
Gjatë takimit, Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e promovimit të këtyre iniciativave dhe domosdoshmërinë e informimit të të rinjve për të përfituar nga mundësi të tilla zhvillimi.
"Kemi sot në funksion Durana Tech Park për hapësirë ndryshe nga piramida, por e nevojshme për sistemin dhe që po ashtu po na jep arsye për të qenë të inkurajuar dhe të frymëzuar për të vazhduar më tutje, kemi programin e shtrirjes së qendrave Tumo jashtë Tiranës, qendra Tumo e ka treguar qartësisht tani dobinë e saj për shumë e shumë fëmijë; kemi sistemin e laboratorëve inteligjentë nëpër shkolla, janë 340 në mos gabohem, shkolla që kanë laboratorë inteligjentë, ku fëmijët qysh në klasën e parë fillojnë paralelisht të marrin nocionet e para të teknologjisë edhe kodimit dhe plani është që laboratorët inteligjentë të shkojnë në 1000, praktikisht të mbulohen të gjitha shkollat dhe është një plan i financuar tanimë."
"Po ashtu programi i start-upeve ka dhënë rezultate inkurajuese dhe është një program që është i destinuar të zhvillohet më tutje dhe të rritet dhe nga pikëpamja e përmbajtjes së vet financiare. Nga ana tjetër dua të ndaj me ju, dy fakte të tjera; e para që ne po shohim një prurje të pazakonshme nëse mund ta quaj kështu, kompanish të huaja që duan të konsiderojnë Shqipërinë si një pikë për të vendosur operacionet e tyre, në pikërisht fushën e teknologjisë. Dhe nga ana tjetër ne jemi shumë të vetëdijshëm që paralelisht me çka bëjmë për të nxitur sipërmarrjen në këtë fushë, kemi një hendek akoma të konsiderueshëm në kërkim-zhvillim dhe duhet të japim më shumë së bashku, për të forcuar pikërisht kërkim-zhvillimin dhe për të zvogëluar hendekun që ka sot midis universitetit dh tregut dhe faktikisht midis kërkimit shkencor abstrakt po themi, për të përdorur një fjalë në funksion të konceptit që shumë energji edhe shumë kohë konsumohet për faktikisht, kërkimet shkencore që pastaj mbeten në vetvete dhe nuk krijojnë vlerë të shtuar."