Shqipëria drejt anëtarësimit në SEPA
di Redazione
15/10/2024
Më 14 tetor 2024, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, realizoi takime në Bruksel me z. Giorgio Andreoli, Drejtor i Përgjithshëm i Këshillit Evropian të Pagesave, dhe z. Gert Jan Koopman, Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Fqinjësisë dhe Negociatave të Zgjerimit (DG NEAR) pranë Komisionit Evropian. Takimet u zhvilluan në kuadër të aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim në SEPA, Tregun Unik të Pagesave në Euro.
Anëtarësimi në zonën gjeografike SEPA është një objektiv kryesor për Shqipërinë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian. Kjo përfshirje pritet të ketë një ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik dhe financiar të vendit, duke forcuar lidhjet me tregun e Bashkimit Evropian, lehtësuar transaksionet ndërkufitare dhe rritur mundësitë për tregti dhe investime në shkallë më të gjerë.
Më 12 qershor 2024, Guvernatori Sejko nënshkroi aplikimin e Republikës së Shqipërisë për anëtarësim në zonën e skemave SEPA, duke u bërë vendi i parë në rajon që dërgon formalisht aplikimin për pranim në këtë zonë. Aktualisht, ky aplikim është në shqyrtim nga Këshilli Evropian i Pagesave, si administrues i skemave SEPA, si dhe nga Komisioni Evropian, i cili duhet të japë miratimin në kuadrin e integrimit të vendeve joanëtare me tregun evropian, bazuar në të njëjtat rregulla dhe standarde.
Pas dorëzimit të aplikimit, Banka e Shqipërisë ka vijuar punën për plotësimin e kuadrit rregullator dhe krijimin e kushteve teknike që mbështesin këtë proces, duke u angazhuar për përafrimin me risitë ligjore dhe rregullative të BE-së, të lidhura me SEPA-n.
Gjatë takimeve të zhvilluara në Bruksel, u theksua se të gjitha vendet e rajonit kanë bërë përpjekje të mëdha për anëtarësim në SEPA, dhe tre prej tyre, përfshirë Shqipërinë, kanë përfunduar me sukses fazën e aplikimit. Shqipëria është një nga tre vendet e Ballkanit Perëndimor që ka ecur me hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit në SEPA, dhe pritet që në muajt e ardhshëm të pranohet zyrtarisht në këtë skemë.
“Pjesëmarrja në SEPA është një nga shtyllat e Planit të Rritjes të hartuar nga Komisioni i BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe një objektiv afatgjatë për Bankën e Shqipërisë dhe vendin tonë. Prandaj, Shqipëria është e përkushtuar të përmbushë standardet e larta të vendosura nga SEPA për sa i përket efikasitetit dhe sigurisë së pagesave. Ekonomia shqiptare është shumë e ndërlidhur me Bashkimin Evropian, ndërkohë që ky anëtarësim ndihmon në uljen e ndjeshme të kostove të pagesave me BE-në dhe zonat e lidhura me të, nëpërmjet SEPA-s.“ vijoj Sejko
Articolo Precedente
Ministri Ulsi Manja prezanton Strategjinë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2024-2030