Shqipëria në ITB Berlin 2025: Një performancë e jashtëzakonshme e vlerave unike në panairin global të turizmit
di Redazione
03/03/2025
Shqipëria turistike, me pasuritë dhe ofertat e saj, do të shfaqet në një performancë të jashtëzakonshme dhe të veçantë në Panairin e ITB Berlin 2025, platforma kryesore për industrinë globale të udhëtimit dhe të turizmit.
Në mesin e 190 vendeve pjesëmarrëse dhe 5600 ekspozuesve, Shqipëria do të jetë në fokusin global si vendi i nderit, duke u përfaqësuar nga turoperatorë, hotelierë, ekspertë të industrisë dhe partnerë. Ata do të prezantojnë, përmes diskutimeve, takimeve dhe aktiviteteve të shumta, përvojat, emocionet dhe shijet unike të Shqipërisë nën logon "All Senses", duke e shndërruar atë në një destinacion turistik tërheqës dhe të kërkuar.
Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministren e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, ndodhen në Berlin për të prezantuar dhe diskutuar punët dhe iniciativat e qeverisë shqiptare, të cilat kanë vendosur Shqipërinë në një nivel të ri, me standarde konkurruese dhe perspektiva zhvillimi premtuese.
Në kuadër të motonit të këtij viti të panairit, “Bota e udhëtimit jeton këtu”, ekspozues, vizitorë dhe tregtarë nga e gjithë bota do të prezantojnë produktet më të mira të tyre në “City Cube Berlin”. Përveç zonës së ekspozitës, në këtë ngjarje zhvillohet edhe Konventa e Berlinit ITB, një institucion kyç për industrinë e turizmit, ku ekspertët diskutuan tendencat dhe risitë që do të formojnë të ardhmen e turizmit.
Para çeljes së Panairit, u mbajt një konferencë shtypi informuese, ku Kryeministri Rama iu drejtohet fillimisht të pranishmëve me një fjalim, dhe më pas iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.
"Bazuar në kartën e turizmit të kombeve të bashkuara, deri më tani Shqipëria është vendi më me rritjen më të shpejtë si destinacion turistik në botë dhe po kështu kemi dhe aeroportin me rritjen më të shpejtë në Europë deri më tani. Ndërkohë që shohim më në fund dhe turistët gjermanë që po vijnë."
"Disa vjet më parë dikush më tha se dita kur turist gjerman do të vijnë në Shqipëri do të jetë momenti kur progresi juaj do të jetë i pakthyeshëm. I thashë: po si është e mundur? Më tha sepse turistët gjerman janë ata më kokëfortët, së pari të kuptojnë se ku po shkojnë, që nuk më çudit sepse e di si funksionojnë gjermanët. Por pastaj në momentin që vijnë vazhdojnë të qëndrojnë si një dëshmi shumë-shumë e fortë e ndryshimit. Praktikisht jemi shumë të lumtur të shohim shifrat e rritjes të ardhjes së turistëve gjerman."
"Nga rreth 120 mijë disa vjet më parë në 374 mijë vitin e kaluar. Sigurisht ne jemi mjaft ambicioz për të marrë gjithmonë e më shumë turistë gjermanë. Nga ana tjetër, dua t’ju se ndërkohë, vizitorët ndërkombëtarë shpenzuan një total prej 4.5 miliardë dollarësh në Shqipëri gjatë vitit 2023, dhe kjo shifër arriti në 4.8 miliardë dollarë në vitin 2024, në një vend i cili ka një PPB prej 25 miliardësh. Ju e dini shumë mirë se çfarë nënkupton kjo shifër."