Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Shqipëria në qendër të nanoteknologjisë: Konferenca "nanoBallkan 2024" mbledh shkencëtarët nga e gjithë bota

28/10/2024

Shqipëria në qendër të nanoteknologjisë: Konferenca

Shqipëria po pret edicionin e dytë të Konferencës Ndërkombëtare nanoBallkan 2024, një ngjarje e rëndësishme që mbledh rreth 250 shkencëtarë dhe ekspertë ndërkombëtarë për të diskutuar zhvillimet më të fundit në fushën e nanoshkencës dhe nanoteknologjisë.

Për tre vite me radhë, Shqipëria është bërë qendër mikpritëse për aktivitete që fokusohen në përparimet e teknologjisë nano, duke krijuar mundësi të reja për bashkëpunim profesional dhe shkencor. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, përshëndeti organizatorët dhe pjesëmarrësit, duke nënvizuar rëndësinë e kësaj konference për vendin dhe duke theksuar mbështetjen e qeverisë për zhvillimin e kërkimit shkencor, infrastrukturës laboratorike dhe zgjerimin e bashkëpunimeve akademike. Ajo përmendi gjithashtu përfshirjen e shkencëtarëve shqiptarë në diasporë si një aset të rëndësishëm për avancimin e shkencës në Shqipëri.

“Këto vite kemi rritur numrin e kërkuesve shkencor, cilët aplikojnë për fondet e projekteve të kërkim zhvillimit shkencor, ku mbi 600 kërkues shkencorë, profesorë të universiteteve tona aplikojnë për fondet e kërkimit shkencor për projekte dhe infrastrukturë të kërkimit. Ne duhet që të avancojmë me mbështetjen për të ecur përpara në ekosistemin e shkencës dhe në shkencën e hapur. Po bëhet rreth një vit që Strategjia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit është miratuar dhe ka filluar zbatimin e saj” – tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Duke iu referuar projektligjit të ri për shkencën, Manastirliu theksoi:

“Jemi në një moment shumë të rëndësishëm të miratimit të ligjit për shkencën dhe kërkimin shkencor, i cili do të hapë perspektiva të reja të zhvillimit të shkencës sipas standardeve të zonës europiane të kërkimit shkencor. Ky ligj krijon mundësinë për një bashkëpunim më të gjerë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar në fushën e shkencës dhe kërkimit shkencor, edhe përtej mureve të universiteteve, duke u shtrirë në struktura të tjera që kanë potencialin të kontribuojnë më shumë në kërkimin shkencor, si industria, parqet teknologjike, qendrat e transferimit të teknologjisë dhe institute të ndryshme, të cilat do të mbështeten dhe financohen nga burime të brendshme dhe fonde ndërkombëtare, duke ngritur standardet që kërkohen që shkenca të përparojë drejt nivele europiane”.

Konferenca nanoBallkan 2024, organizuar me mbështetjen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe nanoAlb, ofron një platformë ku shkencëtarë shqiptarë dhe ndërkombëtarë ndajnë përvoja dhe ndërtojnë ura bashkëpunimi.

Konferenca do të zgjasë katër ditë, duke krijuar një hapësirë bashkëpunimi për zhvillimin e mëtejshëm të nanoshkencës dhe nanoteknologjisë, një fushë me potencial të lartë për të sjellë ndikime pozitive në sektorë të ndryshëm, si shëndetësia, siguria ushqimore dhe mbrojtja e mjedisit.