Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Shqipëria në rrugën e saj për t'u kthyer në një qendër inovacioni rajonale në fushën e progresit digjital, e mbështetur nga kompanitë franceze

11/03/2025

Shqipëria në rrugën e saj për t'u kthyer në një qendër inovacioni rajonale në fushën e progresit digjital, e mbështetur nga kompanitë franceze

Shqipëria po synon një pozicion të ri strategjik në sektorin digjital, duke u shndërruar në një qendër inovacioni rajonale për avancimin teknologjik, me mbështetjen e kompanive franceze. Ky proces ka marrë hov pas nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi me Francën në prill të vitit të kaluar, e fokusuar në Inteligjencën Artificiale.

Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, detyra i është besuar “Inetum Consulting”, një firmë franceze e specializuar në konsulencën për kompani private dhe institucione publike, duke i asistuar në projekte të rëndësishme transformimi dhe zhvillimi. Me një ekip prej 450 ekspertësh nga fusha të ndryshme, kompania operon në disa shtete evropiane, si Franca, Spanja dhe Belgjika, si dhe në Afrikën e Veriut, konkretisht në Marok.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi është realizuar “Projekti Udhërrëfyes Dixhital Francezo-Shqiptar”, i cili synon të shfrytëzojë dhe të përmirësojë hapësirat teknologjike ekzistuese për të tërhequr investitorë, të sigurojë financimet e nevojshme dhe të forcojë kuadrin rregullativ.

Për të prezantuar këto përpjekje dhe për të thelluar bashkëpunimin dypalësh në sektorin dixhital, në kuadër të Javës Franko-Shqiptare për Inteligjencën Artificiale të Gjelbër, u organizua në COD Sesioni Plenar i Projektit Udhërrëfyes Dixhital Francezo-Shqiptar. Aktiviteti, i mbështetur nga ambasadorja franceze në Shqipëri, Catherine Suard, mblodhi Kryeministrin Edi Rama, Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, si dhe aktorët kryesorë të projektit, përfshirë drejtuesit dhe partnerët francezë.

"Rrugëtimi ynë zu fill praktikisht nga zero. Zero kapacitete. Sot kemi krijuar një platformë, e cila në fakt ka hequr të gjitha zyrat e pritjes, zyrat e kontaktit me qytetarë dhe qytetarët shqiptare nuk kanë më pse të rrinë radhëve dhe të humbasin një sasi të jashtëzakonshme kohe, energjie po edhe “bakshish” që është termi turk për këtë frazë, për të marrë një leje, një licencë, por dhe dokumente që vërtetojnë që janë gjallë."

"Ndërkohë që, çdo gjë tani është në internet. Numri i përdoruesve është i jashtëzakonshëm sepse shkon shumë përtej numrit të banoreve dhe të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, nga Italia, në Greqi dhe deri në Australi mund të marrin shërbime nga qeveria dhe administrata për qëllime të marrjes së dokumentacioneve."

"Nga ana tjetër kemi ecur shumë përpara tanimë në procesin e integrimit europian dhe kërkojmë të bëhemi anëtarë brenda kësaj dekade. Kemi po kështu një plan mjaft ambicioz bashke me Komisionin Europian për të përmbyllur negociatat brenda 2027-ës. Është një dritare e jashtëzakonshme mundësish edhe jam i sigurtë që nuk do qëndroje hapur gjithmonë, kështu që duhet të bëjmë gjithçka mundemi për të mos ta humbur."