Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Shqipëria si model i suksesit në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në Samitin Rajonal të Procesit të Aqabas

04/04/2025

Shqipëria si model i suksesit në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në Samitin Rajonal të Procesit të Aqabas

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, gjatë fjalës së tij në Samitin "The Aqaba Process Balkans Forum III", i mbajtur në Sofje të Bullgarisë, riafirmoi angazhimin e Shqipërisë si pjesë e Aleancës Globale dhe iniciativave ndërkombëtare për luftën kundër terrorizmit.

Duke folur para liderëve të shteteve dhe qeverive të përfshira në këtë nismë, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit, solidaritetit dhe angazhimit të përbashkët për të përballuar çdo kërcënim dhe sfidë që paraqitet.

“Terrorizmi nuk njeh kufij, kombësi, fe apo përkatësi etnike. Ai është një kërcënim i përbashkët dhe kërkon një përgjigje të përbashkët”, – theskoi Presidenti i Republikës.

Shqipëria është një partner rajonal dhe global i besueshëm, me një kontribut të qenësishëm në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

“Ne besojmë – theksoi Presidenti Begaj, se paqja dhe siguria afatgjatë arrihen vetëm përmes bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar dhe përgjegjësisë së përbashkët”.

“Përballë kërcënimeve që nuk njohin kufij, le të riafirmojmë qëllimin tonë të përbashkët, të veprojmë me vendosmëri dhe mirëkuptim, me qëllim që të mbrojmë të drejtat themelore të njeriut për paqe dhe siguri”, – apeloi Presidenti i Shqipërisë.

Presidenti Begaj prezantoi në samit strategjitë e miratuara nga Shqipëria për luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, duke theksuar modelin e qasjes gjithëpërfshirëse, që përfshin institucione shtetërore, shoqërinë civile, klerikët dhe komunitetin. Ai e quajti një histori suksesi përvojën e Shqipërisë në parandalimin e planeve dhe synimeve të akteve terroriste.

“Përmes Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit  të Dhunshëm, Shqipëria është transformuar  në një model ekspertize rajonale. Praktika jonë për parandalimin, rehabilitimin, riintegrimin, risocializimin dhe mosangazhimin është njohur ndërkombëtarisht si praktikë e mirë nga partnerët tanë strategjikë”, – deklaroi Presidenti i Republikës.