Shqiptarët e talentuar në teknologji që udhëheqin biznese inovative me produkte të jashtëzakonshme
di Redazione
25/03/2025
Mbi 150 talente shqiptare në teknologji kanë shndërruar vizionet e tyre në biznese konkrete, duke sjellë produkte inovative dhe mbresëlënëse. Kryeministri Edi Rama u takua me startup-et shqiptare, të cilat tashmë numërojnë 2000 të regjistruara me një identitet të konsoliduar, ndërsa në sektorin e IT operojnë 4500 subjekte, duke punësuar rreth 15 mijë persona.
Këto të dhëna u prezantuan gjatë takimit nga Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, e cila theksoi se eksportet e shërbimeve të IT arrijnë rreth 200 milionë euro. Ndër të pranishmit ishin edhe fituesit e Startup Grant 2024, si dhe 86 startup-e të reja që morën lajmin se do të financohen nga programi Startup Grant 2025.
"Dhe në ndërkohë progresi deri në shfaqjen e fuqisë së teknologjisë digjitale ka qenë një progres linear. Tani jemi në epokën e progresit eksponencial. Nëse në kohën e progresit linear kalimi nga një makinë daktilografie në një tjetër kërkonte disa vjet, pastaj aksesi te ai produkt për ata që ishin më të varfër kërkonte shumë e shumë kohë, aq shumë kohë sa vendeve më pak të zhvilluara dhe më të varfëra iu mbeteshin në të vërtetë makinat daktilografike që të tjerët nxirrnin jashtë përdorimit."