Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Shtimi i kërkesës për punësim në sektorin e TIK, Kita: AKSHI, i hapur për profesionistët më të mirë!

01/10/2024

Shtimi i kërkesës për punësim në sektorin e TIK, Kita: AKSHI, i hapur për profesionistët më të mirë!

Në shkallë globale, sektori i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit është një nga fushat me më shumë kërkesë për punësim dhe paga konkurruese, dhe Shqipëria po ndjek këtë tendencë.

Vitet e fundit kanë sjellë zhvillime të mëdha në drejtim të digjitalizimit të institucioneve publike në vend, ngritjen dhe konsolidimin e sistemeve elektronike që mundësojnë ofrimin e shërbimeve në kohë reale për qytetarët dhe bizneset përmes portalit e-Albania, si dhe përmirësime të rëndësishme në mbrojtjen kibernetike. Si rezultat, kërkesa për punësim nga të rinjtë në sektorin e TIK është rritur ndjeshëm.

AKSHI, institucioni përgjegjës për menaxhimin e infrastrukturës së Teknologjisë së Informacionit, mbetet i hapur dhe transparent në kërkimin e talenteve të reja për të përparuar me sfidat teknologjike që paraqiten.

Në një intervistë televizive, Drejtori i Menaxhimit dhe Koordinimit të Investimeve e-Gov dhe TIK, Aldo Kita, theksoi rritjen e interesit nga të rinjtë për punësim, duke vënë në pah ndikimin e një sistemi të konsoliduar arsimor dhe përmirësimin e pagave, veçanërisht në sektorin publik gjatë viteve të fundit.

“Me zhvillimet e viteve të fundit është rritur kërkesa e punësimit të profesionistëve të kësaj fushe në sektorin publik. Tashmë i është dhënë një rëndësi shumë e veçantë zhvillimit dhe afrimit të kapaciteve të burimeve njerëzore në fushën e TIK, duke “konkurruar” sektorin privat për të afruar specialistë të kësaj fushe për shkak të nevojës dhe domosdoshmërisë për të realizuar proceset e punës, mbështetur në Teknologjinë e Informacionit”, shprehu Kita.

Teknologjia po evoluon me hapa shumë të shpejtë, dhe AKSHI po ndjek këtë progres, duke integruar modele që tashmë janë bërë pjesë e standardeve globale, si Inteligjenca Artificiale dhe siguria kibernetike, të cilat kanë zgjuar interes të veçantë tek të rinjtë.

Kita gjithashtu theksoj se pranë AKSHI-t dyert qëndrojnë hapur për të rinj dhe profesionistë, me qëllim që së bashku të zhvillojmë dhe të shënojmë progres. Bashkë me dëshirën për t’u zhvilluar, duhet të jetë edhe dëshira për të dhënë kontributin në një proces që nuk lidhet vetëm me TIK, por edhe me zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.