Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

``Simboli i Shqipërisë moderne``/ Ja çfarë shkruan The Guardian për piramidën e Tiranës

08/11/2023

``Simboli i Shqipërisë moderne``/ Ja çfarë shkruan The Guardian për piramidën e Tiranës

Nga monumenti i një tirani, në një simbol të gëzueshëm të Shqipërisë modern, - është ky shkrimi i The Guardian dedikuar piramidës së Tiranës. E në fakt piramida ka pasur shumë ndryshime dhe projekte të cilat jo shumë kohë më parë, u bënë realitet. Nga simbolika e një Tirane komuniste, u shndërrua në një vend multifunksional me hapësira dhe arkitekturë mbresëlënëse.

`Ndonjëherë simbolet janë të thjeshta. Është ndërtuar një monument i kotë për të përkujtuar një diktator, një ekstravagancë e pasur në një vend ku buka është e racionuar, njerëzit e të cilit mezi hanë. Regjimi më pas përmbyset dhe pas përpjekjesh të konsiderueshme vendoset demokracia. Qytetarët ndihen të lirë të përvetësojnë dhe ta përshtatin trashëgiminë e tij, derisa më në fund të caktohet një arkitekt për t'i dhënë formë të përhershme.

Kjo është historia e Piramidës së Tiranës, një kon betoni 21 metra i lartë në kryeqytetin e Shqipërisë që u hap në vitin 1988 si një muze i jetës së ish-liderit Enver Hoxha, i cili për katër dekada deri në vdekjen e tij në 1985 drejtoi një shtet i izoluar komunist në të cilin makinat e shkrimit dhe televizorët me ngjyra ishin të ndaluara, ` - shkruhet në publikimin e The Guardian.

Historiku i shndërrimeve të piramidës

Piramida u pushtua nga shumë projekte, duke përfshirë një stacion radioje, një klub nate, qendër konferencash dhe një bazë për NATO-n gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovën fqinje.

Banorët e Tiranës dhe vizitorë madje e shfytëzonin për sport: ngjitje në majën e saj dhe rrëshqitje deri poshtë. Të tjerë grabitën pllakat e saj prej mermeri për t'i përdorur në projektet e tyre të ndërtimit.

Të pastrehët dhe përdoruesit e drogës janë strehuar atje. Edhe pse u konsiderua prishja e strukturës gjithnjë e më të rrënuar, dhe gjithashtu kishte një plan për të ndërtuar një teatër kombëtar atje, shumica e shqiptarëve donin ta mbanin atë.

Piramida sot

Bashkia vendosi në fund ta shndërrojë atë në një qendër IT për të rinjtë, një “mjedis ushqyes për të rinjtë shqiptarë”, kostoja e ndërtimit prej 12 milionë eurosh të së cilës do të financohej nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Përdorimet e reja janë vendosur në një shumëllojshmëri prej 34 kutive shumëngjyrëshe të shpërndara brenda, mbi dhe rreth strukturës së vjetër si blloqe ndërtimi të një fëmije të pakujdesshëm, të projektuara nga praktika arkitekturore holandeze MVRDV.

Shkallët ngjiten në pjesën e jashtme të çatisë, me një pjesë të mbajtur ende për rrëshqitje, në mënyrë që njerëzit të mund të ngjiten më të sigurt se më parë. Kutitë përmbajnë hapësira si: klasa dhe punëtori, Tumo, gjithashtu kafene, një dhomë në Airbnb dhe një postë të ambasadës franceze. Thuhet se aty do të jetë dhe projekti i ri i prezantueses së Big Brother Albania, Arbana Osmanit.

Si gjithmonë, shqiptarët dhe Shqipëria e tejkalojnë veten me aftësinë për ta kthyer dobësinë në fuqi dhe ky është rasti konkret. Piramida tërheq vëmendjen e vendasve dhe të huajve me prezantimet e shumta që zhvillohen atje apo edhe thjesht vizitat e bëra nga qytetarët mbrëmjeve për të shijuar pamjen nga lart të kryeqytetit.