Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Skandal financiar në Bashkinë Fier: Zyrtarë nën hetim për mosarkëtimin e 40 milionë lekëve

24/07/2025

Skandal financiar në Bashkinë Fier: Zyrtarë nën hetim për mosarkëtimin e 40 milionë lekëve

Një hetim disa mujor i Prokurorisë së Fierit, në bashkëpunim me Policinë Vendore, ka çuar në ekzekutimin e disa masave sigurie ndaj zyrtarëve aktualë dhe ish-funksionarëve të Bashkisë Fier, të dyshuar për shpërdorim detyre dhe ndikim të paligjshëm.

Në qendër të çështjes qëndron administrimi i parkimit nëntokësor të qytetit, ku sipas të dhënave paraprake, zyrtarët e përfshirë kanë dështuar të vendosin kasat fiskale siç kërkon ligji, duke mos arkëtuar rreth 40 milionë lekë në buxhetin e Bashkisë Fier.

Në kuadër të hetimeve janë marrë këto masa sigurie:

  • “Arrest në shtëpi” për Adela Hysenaj, ish-zëvendëskryetare e Bashkisë Fier dhe ish-drejtore e përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës. Ajo akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave me funksione publike”.
  • “Arrest në shtëpi” dhe pezullim nga detyra për Vasil Cekun, drejtor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier.
  • Pezullim nga detyra për Anisa Cjapin, drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore.
  • Pezullim nga detyra dhe ndalim për të dalë jashtë shtetit për Martin Dodin, sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Fier.

Sipas burimeve zyrtare, përveç mungesës së arkëtimit nga parkimi, zyrtarët dyshohet se kanë ulur në mënyrë të paligjshme detyrimet tatimore për biznese të caktuara në qytet, në këmbim të përfitimeve personale.

Materialet janë referuar për veprime të mëtejshme në Prokurorinë e Fierit, ndërsa hetimet vazhdojnë.