Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Sot u zhvillua Mbledhja për Politikën e Jashtme

11/03/2025

Sot u zhvillua Mbledhja për Politikën e Jashtme

Në drejtimin e Kryetares, znj. Mimi Kodheli, u zhvillua sot mbledhja e radhës e Komisionit për Politikën e Jashtme. Pas miratimit të procesverbaleve të mbledhjeve të datave 16 dhe 17 Dhjetor 2024, si dhe kalendarit të punimeve të komisionit për periudhën 3 Mars - 21 Mars 2025, Komisioni shqyrtoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim të Abu Dhabi-t, për financimin e projektit ‘Sistemi i kamerave nën administrimin e Policisë së Shtetit - Smart City’”.

Mbledhja e Komisionit vazhdoi me shqyrtimin e Projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut, për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar.” Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, z. Taulant Balla, ishte i ftuar për të prezantuar këtë projektligj. Ai shpjegoi se marrëveshja ka si qëllim përcaktimin e rregullave të sigurisë për çdo shkëmbim informacioni të klasifikuar, duke siguruar mbrojtjen e tij sipas standardeve më të larta të sigurisë të përcaktuara në marrëveshje.

Relatorja e çështjes, znj. Etilda Gjonaj, theksoi se kjo marrëveshje përmirëson sigurinë në përgjithësi dhe, në mënyrë të veçantë, mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, duke mundësuar një bashkëpunim më të ngushtë me autoritetet e huaja. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin.

Mbledhja e dytë e komisionit u fokusua në shqyrtimin e Projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Bankës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për ‘Lehtësinë e reformës dhe zgjerimit për Ballkanin Perëndimor’.”