Spiropali merrë pjesë në Konferencën Vjetore të Avokatit të Popullit 2024 "Femicidi: Problemi social përtej statistikave"
di Redazione
10/12/2024
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali, ishte e pranishme në Konferencën Vjetore të Avokatit të Popullit 2024, me temë "Femicidi: Problemi social përtej statistikave". Në këtë aktivitet morën pjesë edhe znj. Erinda Ballanca, Avokatja e Popullit, z. Silvio Gonzato, Ambasadori i BE-së, znj. Albana Koçiu, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile, ndër të tjerë.
Gjatë fjalës së saj përshëndetëse, Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, theksoi se femicidi po kthehet në një sfidë serioze për shoqëritë tona dhe se për ta adresuar atë nevojitet një bashkëpunim i gjerë shoqëror, politik, institucional dhe komunitar. Ajo shtoi se në Kuvend po realizohen vazhdimisht sondazhe dhe prodhohen statistika për të monitoruar dhe vlerësuar ecurinë e procesit të barazisë gjinore, si në institucionin e Kuvendit ashtu edhe në shoqërinë shqiptare.
"Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut vinte në një moment emancipimi të të gjithë rendit global e mbas një lufte të përbotshme që sërish i pa gratë si viktimat më të rënda të saj.
Ajo ishte një betejë e jashtëzakonshme që tentonte të krijonte shtratin human të bindjes se të gjithë njerëzit të gëzojnë të drejta e liri të barabarta, pavarësisht nga kombësia, gjinia, raca, besimi, prejardhja apo pasuria.
Dhe asgjë më shumë se garantimi i të drejtave të grave nuk do të ishte shkak i parë dhe themelor në suksesin e kësaj inisiative po të përbotshme.
Dukuria e femicidit po shndërrohet në një problem serioz për shoqëritë tona. Për përballimin e saj kërkohet një front i gjerë shoqëror, politik, institucional e komunitar.
Jam dakord me këndvështrimin tuaj në adresimin e këtij problemi se nuk duhet të nisemi thjesht nga shifrat dhe faktet, por problemet dhe difektet e shoqërisë që qëndrojnë pas tyre dhe i shkaktojnë ato. Prapa drurëve, të shohim pyllin, siç thotë një fjalë e mençur."
Më tej ajo shprehu se duhet shtojmë kontrollet dhe se duhet vlerësuar legjislacioni ekzistues dhe gjithashtu këshillim psikologjik dhe ligjor për gratë dhe vajzat që kanë përjetuar dhunë në çfarë do lloj forme të ndryshme.
"Është e nevojshme që ne të rrisim kontrollin mbi zbatueshmërinë e legjislacionit për ndëshkueshmërinë e dhunuesve dhe të përmirësojmë legjislacionin ekzistues, aty ku është e nevojshme.
Propozimi i Avokatit të Popullit drejtuar Ministrisë së Drejtësisë në prill të këtij viti, mbi parashikimin në Kodin Penal të Femicidit si vepër penale e veçantë, mendoj se duhet vlerësuar.
Për të ndryshuar mentalitetin dhe promovuar barazinë gjinore, ne të gjithë duhet të investojmë më shumë në politikat, programet dhe veprimet parandaluese, duke nisur nga programet shkollore dhe jetën e komuniteteve.
Të mbështesim gratë dhe vajzat, por edhe të gjithë qytetarët, të flasim hapur për këtë problem dhe të inkurajojmë të gjithë për të denoncuar çdo rast dhune.
Tashmë nuk ka më vend për turp shoqëror në qëndrimin ndaj dhunës në mjediset larg vëmendjes së shoqërisë.
Të vazhdojmë të mbështesim viktimat nëpërmjet programeve të specializuara për të ofruar strehim, këshillim psikologjik dhe ligjor për gratë dhe vajzat që kanë përjetuar dhunë, shtimi i tyre por edhe integrimi dhe riintegrimi i tyre mbetet gjithnjë i rëndësishëm." - Shprehu Elisa Spiropali.