Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Spiropali në 100-vjetorin e KLSH: Bashkëpunimi ynë bazohet në pavarësi, mbështetje dhe partneritet

20/05/2025

Spiropali në 100-vjetorin e KLSH: Bashkëpunimi ynë bazohet në pavarësi, mbështetje dhe partneritet

Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, mori pjesë dhe mbajti një fjalë përshëndetëse në ceremoninë zyrtare të organizuar me rastin e 100-vjetorit të krijimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, e zhvilluar sot në sallën e seancave plenare të Kuvendit.

Ceremonia u hap nga Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu, i cili e cilësoi këtë ditë si një moment historik, duke vënë në dukje rolin e institucionit në forcimin e kulturës së transparencës dhe llogaridhënies në vend.

“Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, për të cilin kemi tashmë një plan të dakortësuar me institucionet europiane, është jo vetëm kurorëzimi i një procesi të nisur 35 vjet më parë, por edhe starti i një rrugëtimi të ri, kur të gjitha institucionet e Republikës do të jenë institucione të një vendi anëtar të Bashkimit Europian.”

“Kuvendi do të vazhdojë të mbështesë Kontrollin e Lartë të Shtetit si një institucion kushtetues, një partner në përpjekjet tona për zhvillimin dhe rritjen ekonomike, për të rritur performancën financiare, për mbështetjen e sundimit të ligjit, mirëqeverisjes dhe për të përshpejtuar ritmet e integrimit europian të Shqipërisë. Kuvendi do të vijojë të mbështesë të gjitha institucionet kushtetuese dhe të krijuara me ligj dhe pavarësinë e tyre, për të përmbushur misionin si roje te interesit publik e qytetar. Pavarësia e institucioneve është një përmasë jetike e mirefunksionimit të pushteteve në sistemin demokratik, po aq sa edhe përgjegjësia, trasparenca dhe llogaridhënia e tyre. Prandaj deviza e bashkëpunimit tonë përmblidhet në tre fjalë: pavarësi, mbështetje, partneritet.”-u shpreh znj. Spiropali.

Në aktivitetin e zhvilluar, një fjalë përshëndetëse mbajti edhe Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, z. Silvio Gonzato. Ai vlerësoi rolin thelbësor të Kontrollit të Lartë të Shtetit në forcimin e mirëqeverisjes dhe transparencës, duke e cilësuar këtë institucion si një partner kyç në rrugën drejt standardeve europiane të llogaridhënies.

“Legjislacioni i BE kërkon që institucionet si KLSH të jenë të pavarura dhe të pajisura me burimet dhe mandatin e duhur për të ushtruar kontroll mbi të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e fondeve publike, përfshirë ato të Bashkimit Evropian dhe të donatorëve të tjerë. Çfarëdo ndryshime që do të bëhen duhet të jenë në përputhje të plotë me kërkesat e legjislacionit dhe standardeve të BE.”-tha Gonzato.