Spiropali takim me krerët fetarë : Të kemi një strukturë sociale sa më të mirë
di Redazione
09/12/2024
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, organizoi sot një takim në Kryesinë e Kuvendit me përfaqësuesit kryesorë të komuniteteve fetare në vend. Në këtë takim morën pjesë Kryetari i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Arqipeshkvi Metropolitan i Tiranës dhe Durrësit, Imzot Arjan Dodaj, Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij Asti, si dhe Kryetari i Vëllazërisë Ungjillore, Ergest Biti.
Kryetarja Spiropali theksoi se, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, është thelbësore të trajtohet jo vetëm liria e besimit, e cila është një e drejtë e siguruar në Shqipëri, por edhe ndikimi i komuniteteve fetare në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të tjera themelore të qytetarëve. Ajo vuri në pah rëndësinë e rolit të tyre në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më humane dhe më të mirë për të gjithë.
Mozaiku i larmishëm fetar përfaqëson një nga vlerat më të mëdha të Shqipërisë. Harmonia dhe mirëkuptimi mes besimeve janë një element kyç, duke e pozicionuar vendin tonë si një shtëpi e përbashkët për të gjitha komunitetet fetare. Ky bashkëjetim paqësor është i njohur ndërkombëtarisht dhe shërben si një model frymëzues për vendet e tjera.
Bashkëpunimi mes Kuvendit dhe institucioneve fetare duhet të synojë forcimin e infrastrukturës sociale, mbështetjen e familjes dhe përmirësimin e marrëdhënieve familjare. Prioritetet përfshijnë ofrimin e shërbimeve sociale, arsimore, kulturore dhe edukative, si dhe angazhimin në luftën kundër dhunës në shoqëri dhe familje. Po ashtu, theksi duhet të vihet te mbështetja për familjet dhe individët në nevojë, duke vendosur në qendër të këtij bashkëpunimi njeriun, familjen dhe qytetarin.
Articolo Precedente
Balluku : Mjetet borëpastruese në veprim për të garantuar qarkullimin e lirë