Spiropali takim me Sir Lindsay Hoyle, Kryetarin e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar: Forcimi i marrëdhënieve dypalëshe në një stad të ri
di Redazione
15/01/2025
Me ftesë të Sir Lindsay Hoyle, Kryetar i Dhomës së Komuneve të Mbretërisë së Bashkuar, Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, ka nisur sot një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar. Delegacioni shqiptar përfshin deputetët Pandeli Majko, Damian Gjiknuri, Eduard Shalsi, Blerina Gjylameti, Lavdrim Krashi, Lefter Gështenja, si dhe Ambasadorin e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Uran Ferizi.
Në takimin me Sir Lindsay Hoyle, znj. Spiropali vlerësoi përparimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Pas firmosjes së Deklaratës së Përbashkët në dhjetor 2022, dialogu politik dhe marrëdhëniet dypalëshe kanë hyrë në një fazë të re, ku Kuvendi dhe Dhoma e Komuneve po luajnë një rol kyç në thellimin e këtyre lidhjeve.
Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, theksoi se bashkëpunimi me Parlamentin britanik mbetet një prioritet kryesor për Kuvendin e Shqipërisë, duke shënuar nivelin më të lartë të marrëdhënieve dypalëshe. Ajo nënvizoi se bashkëpunimi synon avancimin e reformave, zhvillimin ekonomik, forcimin e institucioneve demokratike, si dhe promovimin e sigurisë, turizmit, inovacionit, arsimit dhe kulturës. Përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër emigrimit të paligjshëm përfshijnë gjithashtu nisma për investime dhe krijimin e mundësive të punësimit për rininë në zonat veriore të Shqipërisë.
Znj. Spiropali vlerësoi kontributin e Diasporës shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar, e cila, si një komunitet aktiv dhe i mirëintegruar, luan një rol të rëndësishëm si urë lidhëse mes dy vendeve.
Ajo gjithashtu nënvizoi rolin udhëheqës të Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal dhe shprehu vlerësimin për mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar ndaj stabilitetit në rajon dhe procesit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Një falënderim i veçantë u drejtua për angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar në avancimin e perspektivës euro-atlantike të Kosovës dhe për forcimin e lidhjeve të saj me NATO-n. Po ashtu, znj. Spiropali riafirmoi angazhimin e Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar për të mbrojtur integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, duke vepruar në përputhje me qëndrimet e përbashkëta të BE-së dhe NATO-s.
Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, së bashku me delegacionin e Kuvendit, zhvilluan takime me përfaqësuesit e grupit të miqësisë me Shqipërinë dhe delegacionin e Dhomës së Komuneve në Unionin Ndër-Parlamentar. Gjatë këtyre takimeve, u diskutuan aspekte konkrete të bashkëpunimit parlamentar dypalësh, përfshirë modernizimin e funksionimit dhe shërbimeve të Kuvendit, si dhe përmirësimin e koordinimit të qëndrimeve në forumet ndërkombëtare parlamentare.
Gjithashtu, Kryetarja Spiropali dhe delegacioni ndoqën një seancë të pyetjeve në Parlamentin britanik, ku Kryeministri Keir Starmer iu përgjigj pyetjeve të deputetëve.