Stadiumi “Selman Stërmasi”, Rama: Një hapësirë e re urbane për Tiranën
di Redazione
04/04/2025
Stadiumi “Selman Stërmasi” do të pësojë një transformim të rëndësishëm përmes një projekti ambicioz, ku disa nga studiot më prestigjioze ndërkombëtare po konkurrojnë për realizimin e tij.
Sot zhvillohet faza përfundimtare e Garës Ndërkombëtare për Projekt-Ide Arkitekturore, ku pesë skuadrat finaliste paraqesin konceptet e tyre për një stadium tërësisht të ri, në përputhje me standardet e UEFA-s, kategoria IV. Ky projekt synon ta shndërrojë zonën në një qendër të re urbane për Tiranën.
Në garën për projektin e stadiumit “Selman Stërmasi” marrin pjesë disa ekipe prestigjioze ndërkombëtare dhe vendase. Konkurrentët përfshijnë:
- OMA + RH DHV + LOLA Landscape Architects + Albanian Investment
- Construction sh.p.k + Diagonal Projektim & Zbatim sh.p.k
- Far Frohn & Rojas + sbp-schlaich-bergermann-partner + TOPOTEK I + Transsolar; Klimaengineering + Adrian Paci + Progeen sh.p.k
- Foster & Partners + Artech Studio sh.p.k + Artech Group + Bolv Oil
- ZAHA HADID Architects + AGIKONS sh.p.k
- Office KGDVS + l’AUC + Baukuh + ARQUITECTURA-G + Yelloë Office + Ne Arkitektët + Matilde Cassani + Bollinger & Grohmann + ALES Construction
Këto studio të njohura do të prezantojnë vizionet e tyre arkitekturore për stadiumin e ri, i cili pritet të shndërrohet në një nga qendrat më moderne urbane të Tiranës.
"Tani i vjen radha stadiumit “Selman Stermasi” edhe ky sipas kërkesës së bërë për studiot është në fakt një tjetër bërthamë për një qendër të re urbane që jam i bindur, duke pasur parasysh edhe konkurrentët, do jemi në kushtet kur do të kemi mundësi të bëjmë një zgjedhje shumë të mirë."
Kryeministri Rama theksoi se ky projekt vjen në vazhdën e iniciativave për modernizimin e infrastrukturës sportive, duke ndjekur stadiumet e Durrësit, Vlorës dhe Korçës, të cilat tashmë janë në fazë zhvillimi.
“Më vjen shumë mirë që pas tre stadiumeve të reja të cilat janë në proces tani, pasi janë përzgjedhur fituesit, janë bërë projektet e zbatimit dhe AIC ka shpallur garën për zhvilluesit. Këto nuk janë stadiume ekzaktësisht, por janë qendra të reja urbane në Durrës, në Vlorë dhe Korçë”, shtoi Rama.
Rama u shpreh i bindur se stadiumi “Selman Stërmasi” do të shndërrohet në një tjetër pikë kyçe për krijimin e një qendre të re urbane në kryeqytet.