Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Strategjia e re e Kuvendit 2025-2030, Spiropali në takim koordinues me donatorët, ambasadorët e BE, OSBE-në dhe partnerët strategjikë

29/01/2025

Strategjia e re e Kuvendit 2025-2030, Spiropali në takim koordinues me donatorët, ambasadorët e BE, OSBE-në dhe partnerët strategjikë

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, zhvilloi një takim konsultativ mbi draftin e Planit të ri Strategjik të Kuvendit 2025-2030, ku morën pjesë ambasadorët e vendeve të BE-së, përfaqësues të OSBE-së në Shqipëri, kryetarët e komisioneve parlamentare dhe partnerë strategjikë.

Duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme në forcimin e funksionimit të Kuvendit, përmirësimin e procesit legjislativ, rritjen e kontrollit parlamentar dhe modernizimin e shërbimeve parlamentare, Spiropali vuri në dukje arritjet e Planit Strategjik 2020-2025. Ajo gjithashtu prezantoi disa nga prioritetet kryesore të përfshira në draftin e strategjisë së re për vitet 2025-2030.

“Plani Strategjik 2025-2030 përfaqëson një vizion të qartë dhe të vendosur, vizion i cili para së gjithash pasqyron Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian. Shqipëria nuk po pret të jetë gati. Shqipëria po vepron sot – me reforma, me përkushtim dhe Kuvendi synon të jetë zemra e kësaj përpjekjeje."

"Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030 është një objektiv ambicioz, por tërësisht i realizueshëm, nëse mbajmë parasysh shpejtësinë e këtij procesi dhe thellësinë e reformave, masave e veprimeve që kemi ndërmarrë gjatë kohëve të fundit, si mbajtja e mbledhjes së dytë dhe të tretë ndërqeveritare Shqipëri-BE dhe çelja e negociatave për grup-kapitujt I-Themelorët dhe VI-Politika e Jashtme dhe të Sigurisë."

"Strategjia e Kuvendit 2025-2030 është një pjesë e masave tona për arritjen e këtij objektivi dhe Kuvendi duhet të ngrihet në lartësinë që paraqet kjo sfidë. Ne po punojmë që në mbyllje të legjislaturës së ardhshme, Kuvendi i Shqipërisë të jetë parlamenti i një vendi anëtar të Bashkimit Europian”

Gjatë aktivitetit ishin të pranishëm ambasadorë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, përfshirë Silvio Gonzato, Ambasador i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Ruth Huber, Ambasadore e Zvicrës, Niklas Ström, Ambasador i Suedisë, Ambasadorja e Austrisë, Karl Bergner, Ambasador i Gjermanisë, Michel Tarran, Kreu i Prezencës së OSBE-së, Fiona McCluney, Koordinatore e Përhershme e OKB-së, si dhe Shakira Birtwhistle, Sekretare e Parë e Ambasadës Britanike. Në diskutimet e tyre, ata vlerësuan partneritetin e deritanishëm me Kuvendin e Shqipërisë dhe shprehën angazhimin për të mbështetur më tej forcimin e qeverisjes demokratike, rritjen e efektivitetit institucional, si dhe ndërtimin e një parlamenti transparent, gjithëpërfshirës dhe të përgatitur për sfidat e integrimit në BE.

Në përfundim të takimit, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, bëri të ditur se konsultimi mbi draftin final të Planit të ri Strategjik të Kuvendit do të vazhdojë me grupet parlamentare, median, shoqërinë civile dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm.