Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Takim i parë i Dialogut BE-Shqipëri për Sigurinë dhe Mbrojtjen , Vengu : Qasje Strategjike drejt BE

08/04/2025

Takim i parë i Dialogut BE-Shqipëri për Sigurinë dhe Mbrojtjen , Vengu : Qasje Strategjike drejt BE

Shqipëria synon të zgjerojë bashkëpunimin dhe ndërveprimin me Bashkimin Evropian për të rritur kapacitetet e saj mbrojtëse. Kjo u bë e ditur nga ministri i Mbrojtjes, z. Pirro Vengu, gjatë Takimit të Parë të Dialogut për Sigurinë dhe Mbrojtjen mes BE-së dhe Shqipërisë, i zhvilluar në Tiranë. Në këtë takim mori pjesë edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, njëkohësisht zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, znj. Kaja Kallas, e cila ndodhet për herë të parë në Tiranë në kuadër të një turi në Ballkan.

“Partneriteti i ri i Sigurisë dhe Mbrojtjes ndërmjet Shqipërisë dhe BE dhe ky dialog i parë duhet parë si bazë për një ‘qasje strategjike’ në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në politikën, axhendën, instrumentet dhe mekanizmat përkatës të BE për Sigurinë dhe Mbrojtjen, madje edhe përpara anëtarësimit të plotë zyrtar. Ne duhet të vendosim qartë një nivel të përbashkët ambicie për të ndjekur qëllimin e përbashkët për të pasur një mbrojtje shumë më të fortë të BE, për të qenë e aftë të trajtojë kërcënimet dhe sfidat tradicionale të sigurisë dhe ato në zhvillim, të cilat, siç e dimë të gjithë, kanë qenë masive vitet e fundit”. - theksoj Vengu.

Duke shprehur mirënjohjen për ndihmën fillestare prej 13 milionë euro që Bashkimi Evropian ka akorduar për Forcat e Armatosura të Shqipërisë, ministri Vengu theksoi se do të ketë një bashkëpunim të ngushtë me ekipet e BE-së për të përfituar sa më shumë nga Mekanizmi Evropian i Paqes. Ai njoftoi gjithashtu se janë në prag të nisjes së bisedimeve për një paketë të dytë mbështetjeje.

Ministri Vengu shprehu nevojën për të qenë më ambiciozë për të përfituar nga mundësitë e ofruara nga instrumenti SAFE, i krijuar së fundmi: “Ne e kuptojmë se shumë nga këto instrumente janë të destinuara për t'u përdorur nga shtetet anëtare të BE, por ne kërkojmë fuqimisht t'i hapin ato plotësisht edhe për vendet kandidate apo partnerët e ngushtë të BE, si ne. Duke vepruar kështu, ne do të nxisim modernizimin e Forcave tona të Armatosura, zhvillimin e kapaciteteve dhe aftësive operacionale, avancimin e aftësimit dhe lëvizshmërisë ushtarake dhe më e rëndësishmja, rigjallërimin e industrisë së mbrojtjes”, - u shpreh ministri Vengu. Ministri i Mbrojtjes shprehu gatishmërinë për një partneritet me BE, pikërisht në rigjallërimin e industrisë së mbrojtjes që është një prioritet i qeverisë shqiptare