Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Takimi i Komitetit të përhershëm të asamblesë parlamentare të procesit të bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore

11/12/2024

Takimi i Komitetit të përhershëm të asamblesë parlamentare të procesit të bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore

Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi sot një takim të Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore, me temë “Bashkëpunimi Parlamentar për Rritjen e Ndërlidhjes Rajonale dhe Lehtësimin e Kufijve në Evropën Juglindore”. Ky aktivitet u organizua në kuadër të marrjes nga Shqipëria të Presidencës së Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore (SEECP PA). Në ngjarje morën pjesë ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, Kryetari i Komitetit të Përhershëm të Parlamentit të SEECP-së, Eduard Shalsi, Marko Radonaviç, këshilltar politik i RCC, si dhe delegacionet ndërkombëtare të SEECP.

Aktiviteti u drejtpërdrejt nga Eduard Shalsi, i cili gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e avancimit të integrimit rajonal dhe përpjekjeve të përbashkëta për të arritur zhvillim dhe prosperitet të qëndrueshëm. Shalsi theksoi se bashkëpunimi parlamentar është themeli i ndërtimit të besimit, harmonizimit të politikave dhe përshpejtimit të implementimit të iniciativave që i afrojnë vendet tona me njëra-tjetrën. Po ashtu, ai theksoi rëndësinë e Strategjisë SEE 2030, e cila kërkon veprime konkrete për avancimin e Tregut të Përbashkët Rajonal të Ballkanit Perëndimor dhe për promovimin e tranzicioneve të gjelbra dhe digjitale.

“Parlamentet tona duhet të srbejnë si mundësues duke siguruar që politikat rajonale dhe nismat e BE-së si Agjenda e Gjelbër dhe Plani i Ri i Rritjes të mbeshtetet ligjërisht dhe të zbatohen shpejtë. Puna jonë duhet të kalojë përtej fjalëve duke siguruar që vendimet tona të përbashkëta të sjellin përmirësime të prekshme në jetën e qytetarëve tanë”, shprehu Shalsi.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, theksoi rëndësinë e takimit dhe theksoi se Kryesimi i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) është një mundësi e shkëlqyer për të forcuar bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe për të kontribuar në krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal, i cili do të shërbejë si një hap i rëndësishëm për përshpejtimin e integrimit në Tregun e Brendshëm të BE-së. Hasani vlerësoi angazhimin e Shqipërisë për të zbatuar pa lëkundje të gjitha marrëveshjet dhe për të thelluar bashkëpunimin me Bashkimin Evropian.

“Dimensioni parlamentar i SEECP-së luan një rol kyç në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe avancimin e procesit të integrimit evropian. Duke përfshirë parlamentet kombëtare në procesin e vendimmarrjes dhe dialogut, ai siguron legjitimitet demokratik dhe angazhim më të madh për nismat që ndërmerren në rajon. Ky dimension lehtëson bashkëpunimin ndërkufitar, duke mundësuar shkëmbimin e eksperiencave, harmonizimin e politikave dhe adresimin e sfidave të përbashkëta si sundimi i ligjit, qeverisja e mirë dhe të drejtat e njeriut.”, theksoj ministri Hasani.

Takimi vazhdoi me diskutime dhe shkëmbime mendimesh dhe përvojash mbi bashkëpunimin parlamentar, duke u fokusuar në nxitjen e lidhjeve dhe shkëmbimeve ndërkufitare mes vendeve të Evropës Juglindore.