Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Takimi në Bruksel mes Kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali dhe Presidentes së Parlamentit Europian Roberta Metsola

06/11/2024

Takimi në Bruksel mes Kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali dhe Presidentes së Parlamentit Europian Roberta Metsola

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali, po realizon një vizitë në Parlamentin Europian në Bruksel, pas një ftese nga Presidentja e Parlamentit Europian, znj. Roberta Metsola. Gjatë vizitës së saj, znj. Spiropali pati një takim me znj. Metsola. Në këtë vizitë, atë e shoqërojnë z. Toni Gogu, Bashkë-Kryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asoocimit Shqipëri-Parlamenti Europian dhe Zëvendëskryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, si dhe znj. Klotilda Bushka, Kryetare e Komisionit të Ligjeve, z. Eduard Shalsi, Kryetar i Komisionit të Ekonomisë, dhe z. Ferit Hoxha, Ambasador i Shqipërisë në BE.

Në takimin me Presidenten Roberta Metsola, Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, shprehu urimet për rizgjedhjen e saj dhe theksoi besimin se ky mandat i dytë do të sjellë një thellim të bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Europian, duke ndihmuar në përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Znj. Spiropali vlerësoi mbështetjen e Parlamentit Europian dhe të Presidentes Metsola për Ballkanin Perëndimor, e cila është konkretizuar përmes vendimit të Byrosë së PE në korrik 2024 për të shtuar praninë e Parlamentit Europian në rajon. Ajo gjithashtu i sugjeroi Presidentes që kjo prani të vendoset në Tiranë.

Shqipëria po përparon më shpejt se çdo vend tjetër i rajonit drejt anëtarësimit në BE, falë përkushtimit të saj të palëkundur dhe mbështetjes së gjerë publike. Tirana po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një qendër europiane për rajonin.

Jemi të vetëdijshëm se anëtarësimi në BE është një proces që bazohet në merita, dhe punojmë çdo ditë për të përmbushur këto standarde.

Vokacioni europian dhe orientimi perëndimor i Shqipërisë janë tashmë të njohura e të pranuara gjerësisht. Mbajtja e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare më 15 tetor dhe hapja e negociatave për kapitujt e parë "Themelorët" dëshmojnë qëndrueshmërinë e progresit dhe vendosmërinë për të avancuar në kapitujt e tjerë.

Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor ofron një mundësi të veçantë për Shqipërinë për të zhvilluar dhe fuqizuar ekonominë, për t’u integruar më thellë në ekonominë dhe tregun europian, si dhe për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve.

Kuvendi është plotësisht i përkushtuar për të udhëhequr procesin e anëtarësimit, duke harmonizuar legjislacionin kombëtar me standardet e BE-së dhe duke monitoruar nga afër zbatimin e reformave demokratike dhe integruese, për qeverisje të mirë, sundim të ligjit, luftë kundër korrupsionit, pavarësi gjyqësore, fund të pandëshkueshmërisë dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut.

Gjithashtu, Kuvendi është duke hartuar Planin e Veprimit për të zbatuar rekomandimet e përfshira në Raportin e Progresit për Shqipërinë 2024.

Për Shqipërinë dhe shqiptarët, Europa është më shumë sesa një aspiratë për t'u bashkuar me yjet e saj në Bruksel; është një pjesë e identitetit tonë, rrënjët tona, ëndrra dhe destinacioni ynë.

Anëtarësimi në BE është një objektiv strategjik gjithëkombëtar dhe Kuvendi po punon në këtë drejtim në bashkëpunim me qytetarët, shoqërinë civile, grupet e interesit dhe median.

Për të mbështetur këtë qëllim, Kryetarja e Kuvendit, znj. Spiropali, propozoi disa mekanizma konkrete për thellimin e bashkëpunimit me Parlamentin Europian. Ndër këto janë platformat e përbashkëta për dialog dhe komunikim, programe për rritjen e kapaciteteve, si dhe iniciativa për transparencën dhe efektivitetin e veprimtarisë parlamentare.