Trajneri Silvinjo : Do të japim maksimumin me Ukrainën
di Redazione
18/11/2024
Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë nesër, në orën 20:45, ndeshjen e fundit të grupit B1 në kuadër të Nations League, kundër Ukrainës në stadiumin Air Albania. Para këtij takimi të rëndësishëm, trajneri Silvinjo dhe kapiteni Ardian Ismajli morën pjesë në konferencën e shtypit, ku ndanë mendimet e tyre mbi sfidën e nesërme.
Trajneri Silvinjo e vlerësoi kundërshtarin, Ukrainën, por theksoi se për Shqipërinë ky është një ndeshje finale. Ai siguroi se ekipi do të luftojë deri në fund për të arritur një rezultat pozitiv dhe nëse arrihet vendi i parë, do të ishte një arritje e jashtëzakonshme për Kombëtaren.
"Kam përshtypjen që ky është grupi i vetëm nga të gjitha grupet e tjera të Nations League ku çdo gjë mund të ndodhë dhe çdo gjë është e hapur akoma edhe pse është ndeshja e fundit. Të katër ekipet e grupit janë ekipe që kanë qenë pjesë e Euro 2024, kanë lojtarë të fortë individualisht. Kam parë edhe ndeshjet e tjera, mes Gjeorgjisë dhe Ukrainës. Është një ekip i fortë, ka cilësi individuale shumë të larta. Me gjithë respektin për ekipin e Ukrainës, por ne e kemi përgatitur ndeshjen për ta fituar. Në përgjithësi të gjithë trajnerët e përgatisin ndeshjen për ta fituar, nuk futet njeri për barazim apo humbje. Mund të ndodhë çdo gjë. Ne kemi një avantazh të vogël që luajmë në shtëpi, por futbolli është i tillë. Nëse nuk pëson gol, do të kesh më shumë mundësi për të shënuar dhe për të fituar. Jemi përgatitur mirë, kemi publikun që na mbështet dhe do të luajmë për të marrë rezultat pozitiv."