Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

U mbajt tryeza e hapur me temë “Dhuna gjinore në hapësirën digjitale”

05/12/2024

U mbajt tryeza e hapur me temë “Dhuna gjinore në hapësirën digjitale”

Në Kuvendin e Shqipërisë u organizua sot tryeza e hapur me temë “Dhuna me bazë gjinore në hapësirën digjitale”. Ky aktivitet u realizua nën iniciativën e znj. Etilda Gjonaj, Reportere e Përgjithshme për Dhunën ndaj Grave në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, në bashkëpunim me Aleancën e Grave Deputete, UN Women Albania dhe NDI Albania, me mbështetje nga Ambasada e Suedisë dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

Qëllimi i tryezës ishte paraqitja e rezultateve mbi paketën ligjore për dhunën psikologjike dhe online ndaj grave, duke përfshirë përfaqësues të shoqërisë civile, sistemit të drejtësisë, mediave, organizatave ndërkombëtare dhe aktivistë të tjerë.

Në këtë takim morën pjesë Zëvendëskryeministrja, znj. Belinda Balluku; z. Erik Illes, Zëvendës Shef i Misionit dhe Shef i Bashkëpunimit për Zhvillim i Ambasadës së Suedisë në Tiranë; Ambasadorja e Zvicrës, znj. Ruth Huber; Drejtuesja e Zyrës së Këshillit të Europës në Shqipëri, znj. Giulia Re; Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Albana Koçiu; dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Ogerta Manastirliu.

Diskutimi i tyre u fokua te bashkëpunimi institucional dhe ndërkombëtar për adresimin e sfidave që paraqet dhuna digjitale. Gjatë fjalës së saj të hapjes, znj. Etilda Gjonaj theksoi rëndësinë e krijimit të një “zinxhiri rezistence” për të siguruar një mjedis ku gratë dhe vajzat të ndihen të sigurta, të vlerësuara dhe të lira, duke theksuar format e reja të dhunës digjitale, si ngacmimet online, gjuha e urrejtjes dhe kërcënimet, të cilat janë po aq të dëmshme dhe serioze sa dhuna fizike. Gjithashtu, Raporterja e APKiE theksoi rëndësinë e identifikimit të boshllëqeve në legjislacion dhe nevojën për forcimin e zbatimit të tij, duke ndjekur modele ndërkombëtare si Direktiva e Bashkimit Europian dhe Konventa e Stambollit, si udhëzues për hapat e ardhshëm.

“Veprimtaria jonë, e secilës prej nesh, nuk duhet të mbetet vetëm në ditët kur ulemi në këto tryeza apo vetëm në letra. E quaj të domosdoshëm një angazhim të përditshëm nga secila grua, zonjë, në cilindo rol që ka. Nuk insistoj vetëm për sa i përket dhunës me bazë gjinore, por për çdo lloj dhune virtuale, e cila është e rrezikshme në çdo formë të saj” shprehu zëvendëskryeministrja, znj. Belinda Balluku.

Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, znj. Ogerta Manastirliu, nënvizoi se: “Në këtë dekadë ka pasur ndryshime radikale dhe përmirësime të jashtëzakonshme për sa i përket sistemit të parandalimit të formave të dhunës. Është bërë një punë e madhe e gjithë institucioneve dhe të mbështetur jashtëzakonisht nga shoqëria civile. Kemi nisur një diskutim për platformat, për çështje të përforcimit të sigurisë dhe mekanizmave të mbrojtjes së fëmijëve në botën on-line. Në tërësi, kemi një komunikim interaktiv, dhe në pjesën dërrmuese, prindërit janë dakord për mbylljen e platformës TikTok.”