Uzina e vjetër e Autotraktorëve drejt një transformimi të ri falë një projekti inovativ
di Redazione
28/04/2025
Projektet moderne dhe inovative që sjellin zhvillim po shtohen çdo ditë, duke ndikuar jo vetëm në zonat ku zbatohen, por edhe më gjerë.
Një prej këtyre projekteve do të rigjallërojë ish-Uzinën e Autotraktorëve, e cila do të kthehet në një qendër të re për Industrinë Ushtarake, ku do të prodhohen uniforma dhe do të montohet teknikë ushtarake si mjete të blinduara, transportues artilerie, zjarrfikëse dhe autoambulanca.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha dhe Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, zhvilloi sot një takim me banorët e njësisë nr. 1 në Shkozë, ku prezantoi projektin e ri për ndërtimin e një impianti modern me teknologji të avancuar.
“Ky projekt përfshin një investim serioz në teknologjinë moderne dhe inovative për prodhimin e automjeteve ushtarake dhe uniformave me cilësi të lartë për Forcat e Armatosura dhe Policinë e Shtetit, i cili vjen si rezultat i bashkëpunimit mes kompanisë shtetërore Kajo dhe kompanisë Timak. Ky është një investim i rëndësishëm ekonomik për mbarë vendin, por për njësinë 1, ky është një projekt transformues, që do sjellë zhvillim dhe do të hapë vende pune, jo vetëm në pozicione të specializuara, por edhe në shërbim mbështetëse, duke krijuar një pol zhvillimi për njësinë e duke krijuar një të ardhme më të mirë për shumë familje në këtë zonë.” – shprehu Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha.
"Do të fillojmë edhe investimin për prodhimin e veshjeve, uniformave ushtarake dhe të policisë në vendin tonë, pasi edhe në këtë aspekt i kemi të gjitha mundësitë që të bëjmë prodhime të cilësisë shumë të lartë dhe të krijojmë vende pune dhe të furnizojmë Forcat tona të Armatosura apo forcat e rendit me uniforma shumë cilësore dhe më pak të kushtueshme dhe nga ana tjetër, të krijojmë një bazë prodhuese që do të mund t’i shërbejë edhe prodhimit të eksportit kështu që në këto mijëra metra katrorë që janë këtu, që sot siç e shohim të gjithë janë jashtë çdo funksioni, do të krijojmë një hapësirë ku do të ketë punë, do ketë ekonomi dhe do ketë zhvillim."- shprehu kryeminstri Edi Rama.