Vaksinimi falas kundër gripit fillon, Koçiu: 280 mijë doza janë shpërndarë në të gjitha Qendrat Shëndetësore.
di Redazione
07/10/2024
Vaksinimi falas kundër gripit ka filluar, duke u konsideruar si mjeti më efektiv dhe mbrojtja më e rëndësishme ndaj virozave respiratore të shkaktuara nga virusi i gripit. Këtë vit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka siguruar 20 mijë doza më shumë në krahasim me vitin e kaluar dhe vaksinimi do të vazhdojë për grupet me rrezik sipas një kalendari të caktuar nga autoritetet shëndetësore.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, vizitoi Qendrën Shëndetësore Nr.6 në Tiranë, ku, pas marrjes së vaksinës kundër gripit, i bëri thirrje të gjithë qytetarëve, sidomos atyre me sëmundje kronike, që të shfrytëzojnë mundësinë e vaksinimit falas në Qendrat Shëndetësore.
“Ti drejtohen Qendrave Shëndetësore për të marrë vaksinën e gripit dhe për të jetuar një dimër të shëndetshëm pa viroza dhe mbi të gjitha pa komplikacione që sjellin virozat. Kështu që vaksinohuni tani”, beri thirrje Koçiu.
Ministrja njoftoi se, në kuadër të Programit Kombëtar të Vaksinimit, janë siguruar 280,000 doza vaksinë që tashmë janë shpërndarë në të gjithë vendin.
Ajo theksoi se disa grupe do të përfitojnë nga vaksinimi falas, duke theksuar se kjo është mënyra më efikase për të parandaluar dhe minimizuar rrezikun nga komplikacionet e shkaktuara nga virozat e stinës së vjeshtës dhe dimrit.
Grupet për të cilat rekomandohet kryerja e vaksinës kundër gripit përfshijnë fëmijët e moshës 6 muaj deri në 12 vjeç, punonjësit e shëndetësisë, mësuesit, efektivët e policisë, individët që vuajnë nga sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe qytetarët mbi 60 vjeç.