Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Vengu: Forcat elitare shqiptare marrin pjesë në stërvitjen “Defender Europe 25”

21/05/2025

Vengu: Forcat elitare shqiptare marrin pjesë në stërvitjen “Defender Europe 25”

Trupat elitare shqiptare të Regjimentit të Operacioneve Speciale do të marrin pjesë në stërvitjen shumëkombëshe “Defender Europe 25”, së bashku me forcat amerikane. Kjo stërvitje, që nis zyrtarisht më 25 maj dhe drejtohet nga Komanda Evropiane e SHBA (USEUCOM), është një nga më të mëdhatë dhe më komplekset në dekadat e fundit në Evropë dhe Afrikë.

“Defender Europe 25”, e cila nis nga Shqipëria dhe do të zgjasë deri më 9 qershor, ka për qëllim të rrisë gatishmërinë, ndërveprueshmërinë dhe bashkëpunimin operacional mes forcave të SHBA-së, NATO-s dhe vendeve partnere.

Kjo stërvitje përfshin një sërë aktivitetesh luftarake të shkallës së gjerë në disa vende të Evropës dhe zhvillohet mbi bazën e një skenari të Nenit 5 të NATO-s, që simulon mbrojtjen kolektive të aleatëve. Trajnimet do të fokusohen në mbrojtjen e infrastrukturës strategjike, sigurimin e pikave të imbarkimit, si dhe në operacione mësymëse dhe mbrojtëse në zona kyçe të Shqipërisë dhe Kosovës.

Një ndër objektivat kryesorë të stërvitjes është të demonstrojë aftësinë për të dislokuar në mënyrë të shpejtë trupa dhe pajisje nga Amerika e Veriut drejt Evropës, në kushte të ndërlikuara operacionale.

Kjo stërvitje përcjell një mesazh të fuqishëm ndaj çdo kundërshtari të mundshëm: NATO është e bashkuar, e përgatitur dhe e vendosur të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj. Njëkohësisht, ajo synon të forcojë besimin e opinionit publik në vendet aleate për përkushtimin e palëkundur të SHBA-së dhe NATO-s ndaj sigurisë euroatlantike.
"Trupat elitare shqiptare nga Regjimenti i Operacioneve Speciale do të marrin pjesë në stërvitjen ushtarake Defender Europe 25, së bashku me forcat amerikane."

"Ata do të zhvillojnë ndërveprim me aleatët në zona të ndryshme stërvitore, me një qëllim të përbashkët: mbrojtje më të fortë për kontinentin." , shkurajti ministri Vengu pasi ndau disa pamje në media sociale.